Një breshëri raketash ka goditur qytetin e çliruar së fundmi të Khersonit për të dytën herë në ditë.
Administrata ushtarake e Khersonit, ka raportuar se qyteti është bombarduar 17 herë para mesditës të së enjtes dhe sulmet kanë vazhduar deri në mbrëmje, duke vrarë të paktën katër persona dhe plagosur dhjetë tjerë.
Ushtarët në këtë rajon siç raporton AP, kanë paralajmëruar se Kherson do të përballet me sulme të intensifikuara, pasi trupat ruse po gërmojnë përtej lumit Dnieper.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të enjten ka thënë se sulmet e artilerisë ruse në qytetin Kherson dhe zonën përreth “filluan menjëherë pasi ushtria ruse u detyrua të largohej nga rajoni Kherson” në fillim të nëntorit.
Zelensky ka theksuar se granatimet vdekjeprurëse të së enjtes ishin një akt hakmarrjeje për forcat ruse të mposhtura. Rusët nuk dinë të luftojnë ai tha: “E vetmja gjë që mund të bëjnë është të terrorizojnë”.
Nëntë muaj pasi Rusia pushtoi Ukrainën, që më shumë se një javë kjo e fundit po përballet me ndërprerje të energjisë elektrike, kësisoj edhe mungesë të ngrohjes.
Kështu zyrtarët evropianë të premten e 25 nëntorit po përpiqen të ndihmojnë Ukrainën të furnizohen me energji për të pasur mundësinë e ngrohjes.