Rusia ka kryer një sulm masiv ndaj Ukrainës në orët e para të 25 dhjetorit, duke shënjestruar ndërtesa energjisë dhe infrastrukturën tjetër civile, thanë zyrtarët ukrainas.
Të paktën tre persona janë plagosur në rajonin verilindor të Harkivit, që u sulmua me raketa balistike ruse, thanë autoritetet ukrainase.
Guvernatori rajonal, Oleh Syniehubov, po ashtu ka raportuar “për dëme në infrastrukturën civile jo të banueshme” në Harkiv.
Kryeqyteti rajonal – qyteti i Harkivit – u përball “me një sulm masiv raketor”, tha kryetari Ihor Terekhov përmes platformës Telegram.
“Një seri shpërthimesh janë dëgjuar në qytet dhe ka ende raketa balistike që po lëshon drejt qytetit”, shkroi Terekhov në Telegram.
Ministri ukrainas i Energjisë, Herman Halushchenko, tha se Rusia “edhe njëherë po sulmon në mënyrë masive sektorin e energjisë”, por nuk specifikoi se cilat qytete janë nën sulm.
“Operatori i sistemit të transmisionit po ndërmerr masat e nevojshme për të kufizuar konsumimin në mënyrë që të minimizohen pasojat negative në sistemin energjetik”, shkroi Halushchenko në Telegram.
Guvernatori i Dnipropetrovskit, Serhiy Lysak, raportoi se ky rajon që nga mëngjesi është përballur me një sulm masiv, teksa forcat ruse po “tentojnë të shkatërrojnë sistemin e energjisë të rajonit”.
Alarmet për sulme ajrore janë dëgjuar në mbarë Ukrainën mëngjesin e 25 dhjetorit, teksa forcat ajrore të shtetit kanë raportuar se raketat lundruese ruse të llojit Kalibr janë lëshuar nga Deti i Zi.
Që nga nisja e luftës në shkurt të vitit 2022, Rusia vazhdimisht ka sulmuar sektorin e energjisë të Ukrainës, duke e dëmtuar rëndë rrjetin elektrik dhe duke shkaktuar ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike.
Një sulm i ngjashëm ndodhi më 13 dhjetor, kur u përdorën më shumë se 90 raketa dhe 200 dronë./Radio Evropa e Lirë