Pjesë të ndryshme të Ukrainës u përballën me një aksion të ri të Rusisë, e cila përdori dronë për të kryer sulme, por shumica e dronëve u asgjësuan nga mbrojtja ajrore ukrainase, thanë më 4 maj zyrtarët ukrainas.
Sulmet ndodhën një ditë pasi më shumë se 20 civilë u vranë nga dronët e prodhuar nga Irani, derisa Moska vazhdonte të godiste qytetin Bahmut që ka qenë pjesa qendrore e ofensivës së saj lindore.
Mbrojtësit ukrainas rrëzuan 18 nga 24 dronë në të gjithë Ukrainën, tha Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës, duke shtuar se sulmi u nis përsëri nga dy drejtime, nga rajoni verior rus i Brianskut dhe nga bregu i Detit Azov, shkruan REL.
Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, u vu në shënjestër nga dronët për herë të tretë në katër ditë, tha administrata e qytetit, por të gjithë u shkatërruan.
Megjithatë, mbetjet nga rënia e dronëve dëmtuan automjetet dhe rrugët në pjesë të kryeqytetit, por nuk u raportua për viktima, tha administrata e qytetit.
Një alarm për sulm ajror që zgjati për disa orë, u shpall në Kiev dhe rajone të tjera dhe raportet në mediat sociale thanë se shpërthimet mund të dëgjoheshin edhe në rajonet Odesa dhe Zaporizhja.
Sulmi gjatë natës të së mërkurës u bë kritik pas një dite të mëparshme të sulmeve vdekjeprurëse me dronë që vranë të paktën 25 persona, 23 prej tyre në qytetin jugor të Hersonit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.
Zelensky tha se viktimat ishin civilë që u vranë në një qendër tregtare, një stacion treni, ndërtesa banimi, një dyqan harduerësh dhe një pikë karburanti në rajonin Herson.
Numri i njerëzve të vrarë në Herson u rrit, ndërsa sulmet me dronë vazhduan deri në orët e vona.
Guvernatori i Hersonit, Oleksandr Prokudin, shpalli një shtetrrethim 58 orësh për të filluar në qytetin Herson në orën 20:00, më 5 maj.
Ditët e fundit, Hersoni është sulmuar rregullisht nga forcat ruse të pozicionuara përtej lumit Dnjepër.
Forcat ruse vazhduan valën e sulmeve të pasuksesshme në qytetin Bahmut, në rajonin lindor të Donjeckut, tha ushtria ukrainase në njoftimin e saj të përditshëm më 4 maj.
Përpjekjet kryesore të Rusisë mbeten të fokusuara në sulmet në vijën e frontit Bahmut, ku luftimet më të ashpra dhe granatimet e pandërprera ruse janë duke u zhvilluar, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, duke shtuar se forcat e saj zmbrapsën 40 sulme gjatë 24 orëve të fundit.
Ndërkaq, një ditë më parë pati raportime për zjarre në vende të ndryshme në Rusi, duke përfshirë një depo karburanti në fshatin rus, Volna, pranë urës për në Krime, dhe Kremlini pretendoi se ai parandaloi një sulm me dronë që synonte ta godiste rezidencën e presidentit rus, Vladimir Putin.
Ukraina mohoi çdo përfshirje në sulmin e supozuar, duke sugjeruar se Moska e organizoi atë përpara një kundërofensive të pritshme ukrainase.