Të hënën e 20 qershorit, Rusia ka paralajmëruar Lituaninë, e cila është njëkohësisht edhe anëtare e NATO-s se nëse transiti i mallrave në enklavën ruse të Kaliningradit në Detin Baltik nuk rivendoset me shpejtësi, atëherë Moska do të marrë masa për të mbrojtur interesat e saj kombëtare.
Ministria e jashtme ruse ka ftuar në takim ambasadorin lituanez në Moskë, ndërsa Kremlini u shpreh se situata është mjaft serioze.
“Situata është tepër serioze. Ky vendim është i paprecedentë. Është shkelje e çdo marrëveshjeje”, ka deklaruar zëdhënësi për mediat i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Të premten, më 17 qershor autoritetet lituaneze i kanë bërë të ditur rajonit rus të Kaliningradit se do të bllokojnë importin dhe eksportin e një numri të madh mallrash që kalonin në rrugë hekurudhore, për shkak të sanksioneve perëndimore.
Kaliningradi, shtëpia e flotës ruse të Balltikut, dhe një vendvendosje për raketat Iskander me aftësi bërthamore është i vendosur në brigjet e Balltikut midis Lituanisë dhe Polonisë, të dyja anëtare të NATO-s.
Guvernatori i rajonit, Anton Alikhanov, tha të premten se bllokada do të prekë mes 40 për qind deri në 50 për qind të produkteve që importohen dhe eksportohen nga Rusia përmes Lituanisë.
“Lituania nuk po bën asgjë të çuditshme në Kaliningrad dhe nuk është hera e parë që këto akuza vijnë nga Rusia. Sanksionet thjesht kanë hyrë në fuqi më 17 qershor dhe ne po i zbatojmë sipas udhëzimeve të Komisionit”, ka thënë minstri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, në margjinat e Këshillit të Punëve të Jashtme në Luksemburg, në lidhje me bllokadën e enklavës ruse.
Ai shtoi se jo të gjitha mallrat janë prekur nga sanksionet, rreth 50 për qind janë në listën tonë të transitit.