Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka thënë të enjten para mediave në Bruksel, se është i vetëdijshëm për tensionet aktuale në Ballkanin Perëndimor.
Ai gjithashtu ka përmendur edhe procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin u shpreh se nuk po ecën siç do të donin ata.
“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për tensionet në Ballkanin Perëndimor dhe fakti që dialogu Prishtinë-Beograd, të cilin e mbështesim, nuk po ec përpara siç do të dëshironim. Jam shumë i kënaqur me takimin që u mbajt në Berlin këtë javë nën udhëheqjen e kancelarit Scholz ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, sepse e di që Gjermania po punon veçanërisht shumë për ta afruar atë grup me BE-në, afër NATO-s, për ata që nuk janë ende në NATO”, ka deklaruar Rutte.
Ai gjithashtu është shprehur i shqetësuar edhe për tensionet në Bosnje e Hercegovinë dhe përpjekjet për ta ndarë shoqërinë në këtë shtet.
“Sigurisht që jemi të shqetësuar për tensionet që ende përpiqen të orientojnë ndarje brenda shoqërisë së Bosnje e Hercegovinës. Padyshim do të jetë në agjendë dhe të jemi të sigurt që bëjmë gjithçka për të mbështetur Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar sekretari i NATO-s.
Ai e ka vlerësuar takimin e kancelarit Olaf Scholz me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke thënë se Gjermania po bënë përpjekje që vendet e Ballkanit ti ofroj më afër BE-së dhe NATO-s, ato të cilat nuk janë pjesë e Aleancës Veriatlantike.