Rreth 50 liderë evropianë, përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, diskutuan për forcimin e marrëdhënieve transatlantike në një samit të zhvilluar të enjten, duke shpresuar se një presidencë e dytë e Donald Trump do të shmangë grindjet e administratës së tij të parë.
Për shkak të situatës në Ukrainë dhe kërcënimeve të Rusisë, zyrtarët evropianë kërkuan një qëndrim të përbashkët ndaj Rusisë dhe mbështetje për qëndrueshmërinë e aleancës transatlantike.
Mark Rutte, i cili kishte qenë kryeministër i Holandës gjatë presidencës së parë të Trump, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me ish-presidentin amerikan.
Ai ka vlerësuar aftësinë e Trumpit për të qenë të qartë në qëndrimet e tij dhe për të arritur pozita të përbashkëta në të dy anët e Atlantikut.
“Rusia po dërgon teknologjinë më të fundit në Korenë e Veriut në këmbim të ndihmës së Koresë së Veriut në luftën kundër Ukrainës. Dhe ky është një kërcënim jo vetëm për pjesën evropiane të NATO-s, por edhe për territorin e SHBA-së”, ka theksuar Rutte në samit, raporton AP.
“Kur ai ishte president, ishte ai në NATO që na stimuloi të kalonim mbi 2%. Dhe tani, edhe falë tij, NATO, nëse hiqni shifrat e SHBA-së, është mbi 2%,”ka deklaruar tutje ai.
Siç raporton AP, Trump i shtyu fuqimisht aleatët evropianë të NATO-s që të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen gjatë presidencës së tij të parë, deri në 2% të prodhimit të brendshëm bruto dhe të jenë më pak të varur nga mbulimi ushtarak amerikan.
Po ashtu, Rutte theksoi ndikimin e Rusisë dhe Koresë së Veriut në Ukrainë si një kërcënim për të dyja anët e Atlantikut, duke bërë thirrje për forcimin e mbrojtjes në të gjithë NATO-n.
Charles Michel, presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, theksoi nevojën për qëndrim të pavarur evropian, duke thënë se Evropa duhet të jetë më pak e varur nga Shtetet e Bashkuara dhe të marrë më shumë përgjegjësi për të ardhmen e saj.
“Jo për shkak të Donald Trump apo Kamala Harris, por për shkak të fëmijëve tanë,” theksoi ai, duke apeluar për një Evropë të fuqishme dhe të pavarur në një botë gjithnjë e më të pasigurt.