Raportet vjetore të Komisionit Evropian, të publikuara dje, tregojnë se krahasuar me vitin 2022, Kosova rriti nivelin e përgatitjes në pesë kapituj negociatorë, Shqipëria rriti në gjashtë, Maqedonia e Veriut dhe Serbia e rritën nivelin e përgatitjes me nga një kapitull, ndërsa në Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë nuk pati asnjë ndryshim.
Çdo raport i Komisionit Evropian përdor shkallën e mëposhtme për të përshkruar gjendjen e zhvillimit në secilin nga 33 kapitujt e negociatave: faza e hershme (1), një nivel përgatitjeje (2), i përgatitur mesatarisht (3), nivel i mirë i përgatitjes (4) dhe i avancuar mirë (5).
Kjo shkallë shpesh llogaritet joformalisht dhe numrat nga 1 në 5 i jepen secilit nivel.
“European Western Balkans” llogariti nivelin mesatar të gatishmërisë në këtë shkallë për çdo vend të rajonit, bazuar në raportet e publikuara dje.
Kosova është vendi që ka shënuar rritjen më të madhe në notën e saj – nga 1.85 në 1.98. Nota e Kosovës është përmirësuar në pesë kapituj negociues.
Këta kapituj për Kosovën janë, Kapitulli 1: Lëvizja e lirë e mallrave, Kapitulli 4: Lëvizja e lirë e kapitalit, Kapitulli 7: Ligji për pronësinë intelektuale, Kapitulli 12: Siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare dhe Kapitulli 26: Arsimi dhe kultura.
Mali i Zi mbetet kryesuesi në rajon, me notën mesatare 3.12, në shkallën nga 1 në 5. Megjithatë, nuk ka pasur ndryshime në nivelin e përgatitjes në krahasim me vitin e kaluar, kështu që nota mesatare mbetet e njëjtë.
Serbia rriti nivelin e përgatitjes në Kapitullin 17: Politika ekonomike dhe monetare, nga “mesatarisht e përgatitur”, ekuivalente me notën 3, në “ndërmjet një niveli përgatitjeje të moderuar dhe të mirë”, ekuivalente me 3.5. Kjo ka rritur notën e saj të përgjithshme nga 3.03 në 3.05.
Në Maqedoninë e Veriut, po ashtu, i njëjti kapitull mori të njëjtin përmirësim për sa i përket nivelit të përgatitjes, duke e ngritur notën mesatare të vendit nga 3.02 në 3.03.
Shqipëria ka arritur një ndryshim në nivelin e gatishmërisë në gjashtë kapituj. Këto janë Kapitulli 7: Ligji i Pronësisë Intelektuale, Kapitulli 9: Shërbimet financiare, Kapitulli 13: Peshkimi dhe akuakultura, Kapitulli 15: Energjia, Kapitulli 17: Politika ekonomike dhe monetare dhe Kapitulli 19: Politika sociale dhe punësimi.
Këto ndryshime kanë rritur notën e përgjithshme të Shqipërisë nga 2.64 në 2.74 në shkallën 1 deri në 5.
Së fundi, Bosnja dhe Hercegovina nuk ka parë ndonjë ndryshim në nivelin e përgatitjes. Nota mesatare e saj është 1.67, e njëjtë me vitin e kaluar.
Ndërsa, për çështjen e procesit të normalizimit Kosovë-Serbi, Komisioneri Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, ka thënë se të dyja palët u kërkohet të zbatojnë marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj, si dhe marrëveshjet e tjera të mëparshme të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, pa vonesa apo parakushte të mëtejshme.
Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Kosova ka përparuar në punën legjislative dhe ka miratuar një reformë të rëndësishme zgjedhore. Kosova vazhdoi të rreshtohej me BE-në për dënimin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe miratimin e masave kufizuese”, ka thënë Várhelyi.
Ai shtoi se situata në veri të Kosovës është prekur nga disa kriza, ku e fundit ishte sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.
Për shkak të mungesës së hapave vendimtarë për të depërshkallëzuar që nga qershori, BE-ja ka zbatuar masa ndaj Kosovës, të cilat gjithashtu ndikojnë në mbështetjen financiare.
“Këto masa janë të përkohshme dhe varen nga hapat e ndërmarrë për të depërshkallëzuar tensionet në veri të Kosovës. Së fundi, presim me padurim 1 janarin e vitit të ardhshëm kur të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për Kosovën”, ka thënë Várhelyi.