Sa gjenerata duhet të kalojnë që të arrihet marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë?

Rrugëtimi final brenda kornizës së pretenduar të re të dialogut drejt njohjes reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë po i konfirmon fjalët e Kushner-it, i cili kishte thënë se duhet të kalojnë dy gjenerata që të ketë normalizim marrëdhëniesh. Por, për këtë nuk janë pajtuar njohësit e politikës të cilët kanë thënë se Serbisë nuk mund t'i besohet

Flamuri i Kosovës dhe ai i Serbisë





“Duhet që dy gjenerata të kalojnë, një veç se ka kaluar”.

Kështu kishte deklaruar ish i emëruari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara(OKB) si Administrator për Kosovën në atë kohë, Bernard Kushner në vitin 2018 në një deklaratë në një emision televiziv.

“2013, marrëveshja e parë për normalizimin e raporteve. 2023, marrëveshja e dytë për normalizimin e raporteve (pranimi faktik i pavarësisë së Kosovës kundrejt një akti formal të njohjes). 2023, marrëveshja e tretë për normalizimin e raporteve (njohja e ndërsjellë formale), pak para se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen BE-së”.

Kështu shkruhet në dokumentet në të cilat mediumi, Albanian Post ka siguruar qasje për kornizën e re të pretenduar të dialogut Kosovë-Serbi.

Ky dokument ka një analogji me atë që kishte deklaruar Kushner.

Sipas deklaratës së Kushner i bie që më 2039 të arrihet pajtimi i plotë në mes dy vendeve, ndërsa sipas dokumentit të publikuar së fundmi i bie që ky pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë të arrihet në vitin 2033.

Ilustrim

Kjo analizë bazohet në deklaratën e Kushner, i cili kishte thënë “Duhen dy gjenerata, 40 vite të kalojnë, vetëm 20 kanë kaluar” kështu duke e llogaritur përfundimin e luftës në Kosovë më 1999.

Ish kryeadministratori i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Bernard Kushner

Por kjo kornizë nuk është mohuar as nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ai kishte deklaruar se kjo kornizë nuk kishte rrjedhur nga pala serbe në publik.

“E lexova atë letër. Nuk mund të them se mbaj mend katër faqe pas pesëmbëdhjetë minutash leximi. Është e qartë se dokumenti nuk ka rrjedhë në publik nga pala serbe”. Se a është publikuar nga shqiptarët apo dikush tjetër, por i shkon për shtat të përdor mediat, nuk më intereson. Pavarësisht nëse kjo është plotësisht e vërtetë ose jo, nuk mund të mbaj mend çdo detaj, por e di se cilat ishin idetë e dikujt”, ka theksuar Vuçiq për TV Pink nga New York.

“Pretendimet janë të gabuara”

Por ky dokument është demantuar nga Qeveria e Gjermanisë.

“Pretendimet janë të gabuara, një letër siç përshkruhet në raporte, nuk vjen nga Franca, Gjermania apo përfaqësuesi special i BE-së. Nuk kemi informacion se kush e ka shpikur atë dhe me çfarë qëllimi”.

Kështu thuhet në një përgjigje për Portalin Dukagjini nga Qeveria Gjermane, ku një zëdhënës i qeverisë ka theksuar se Gjermania nuk qëndron prapa një dokumenti katërfaqësh të ashtquajtur si “korniza e re” për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

“Kemi marrë parasysh raportimet në mediat shqiptare për të ashtquajturën, nxjerrjen e një dokumenti katërfaqësh i cili supozohet se i është dorëzuar nga Franca dhe Gjermania, përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, thuhet në përgjigjen e tij.

Çfarë thotë kryeministri Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa është pyetur për “kornizën e re” të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se vetëm dokumentet që dalin nga Bashkimi Evropian duhet të merren zyrtare, dhe se nuk i komenton dokumentet që siç thotë ai nuk kanë autor.

“Qarkullojnë dokumente të ndryshme, por besoj që nuk është as e dobishme, as e drejtë që unë t‘i komentoj ato dokumente që nuk kanë autor, por bëhen për të matur pulsin e qytetarëve dhe politikanëve. Dialogu ku unë marr pjesë janë ato bisedimet e takimeve në Bruksel dhe vetëm atje dokumentet që prodhohen duhet t’i merrni si zyrtare dhe të denja për t’u komentuar nga ana ime dhe juaja. Nuk është mirë që të bëjmë komente për dokumente autori i të cilit nuk dihet”, ka thënë Kurti.

“Ne nuk komentojmë dokumentet e pretenduara nga mediat”

Në anën tjetër, zyrtarët e Bashkimit Evropian, nuk kanë komentuar aludimet nëse ekziston një “kornizë e re”, për dialogun me Serbinë apo jo.

“Si rregull i përgjithshëm dhe çështje e parimi, ne nuk komentojmë dokumentet e pretenduara të raportuara nga mediet, sa i përket autencitetit e as përmbajtjes”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Çfarë u diskutua në takimin e Kurtit me këshilltarët dhe emisarin?

Ndryshe, të premten e nëntë shtatorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte pritur në takim dy këshilltarët e emëruar nga Gjermania dhe Franca për dialogun Kosovë-Serbi, Jens Plottner dhe Emmanuel Beaune, si dhe të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Në njoftimin për media nga zyra e kryeministrit, thuhej se gjatë këtij takimi ishte theksuar se Kosova ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër. Ai falënderoi Lajçak, si dhe këshilltarët Plötner dhe Bonne për angazhimin e tyre për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhej në njoftim.

Një takim i tillë erdhi si rrjedhojë e propozimit në letrën e përbashkët të kancelarit Scholz dhe presidentit Macron, drejtuar kryeministrit Kurti, që këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Miroslav Lajçak, në Kosovë dhe Serbi, vizitë përgjatë së cilës shpresohet të gjejnë opsionet që procesi i dialogut të lëvizë përpara më shpejt.

Në letër thuhej se për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale.

“Po ju adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’ju bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpien drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhej në letër.

Kjo letër, sipas tyre vjen në një kohë vendimtare për sigurinë në kontinentin Evropian dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale”.

Ata kanë propozuar që “këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Miroslav Lajçak në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi të lëvizë përpara shpejt”.

“Tensionet e kohëve të fundit kanë treguar se hapat konstruktivë në rrugën përpara janë urgjentisht të nevojshëm, në nivelin praktik dhe politik. Prandaj, ne kemi ngarkuar me punë këshilltarët tanë të politikës së jashtme dhe sigurisë, z.Jens Plötner dhe z.Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij”.

Po ashtu, ata janë shprehur të bindur që në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës duhet bërë përpjekje edhe më të fuqishme që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet e kamotshme bilaterale dhe rajonale.

Se si do të përfundojnë bisedimet në mes të dy vendeve, në vazhdimësi do të ketë pretendime dhe dilema.

“Korniza e re e dialogut” në sytë e analistëve

E për deklaratën e Kushner “Nuk do të jetë e lehtë, sepse nuk ka qenë lehtë as në mes të Francës dhe Gjermanisë, ka pasur shumë luftëra këtu” në lidhje me atë se si do të përfundojë historia e Kosovës dhe dialogut me Serbinë, analistët kanë dhënë mendime të ndryshme.

Analisti, Shqiprim Pula për këtë deklaratë të Kushner ka thënë se historia e kombit shqiptar nuk ngjason me fatin e kombeve të tjera e më së paku me atë të Francës e Gjermanisë.

“Sa i përket ndarjes e luftërave në të cilat janë gjendur përgjatë historisë, prandaj një paralele krahasuese e tillë është krejtësisht e pa qëndrueshme”.

Ndërkaq, lidhur me trumbetimin e një kornize të re mbi dialogun Kosovë-Serbi, ai ka thënë se duket të jetë e pa argumentuar dhe e pa adresë, meqë u mohua nga Brukseli zyrtar dhe nga dy shtetet anëtare më të mëdha të BE-së, Gjermania e Franca.

Sipas tij, publikimi i një dokumenti të tillë për një kornizë të re mbi dialogun, rezulton të jetë në fatin e njejtë sikur ato “non papers” të cilat lansoheshin të pa adresë dhe pa autenticitet zyrtar.

Shqiprim Pula njohës i Marrëdhënieve Ndërkombëtare

Sa i përket demantimit të këtij dokumenti nga Gjermania, Pula ka thënë se është i natyrshëm reagimi i Gjermanisë dhe mohimi i autenticitetit, mbase edhe për të shpallur të pa vlerë atë propozim-kornizë.

“E shpesh herë dokumente të tilla më tepër krijojnë mjegullirë se sa dritë zgjidhje të temave të mbetura hapur”, ka deklaruar ai për Portalin Dukagjini.

Sipas tij, fakti që dokumenti kornizë i publikuar nga media të caktuara, del të jetë i pa adresë dhe pa autenticitet zyrtar, nuk paraqet kurfarë efekti juridik e politik, lidhur me procesin e dialogut dhe nevojës së njohjes së statusit të shtetit të Kosovës nga ana e fqinjit verior Serbisë, por edhe shteteve mos-njohëse deri më tash.

“Qëndrimi politik publik i ripërsëritur nga zyrtarët shtetërorë, serb e në veçanti i presidentit serb, Vuçiq nuk krijon shpresë për një njohje formale të ndërsjellë”.

Analisti ka ritheksuar se Qeveria e Kosovës duhet të jetë e kujdeshme, vigjilente dhe e matur në hapat politikë që bën për t’a përmbyllur çështjen e statusit të vendit të kontestuar nga Serbia.

Pikënisja e përmbylljes së kësaj teme duhet të jetë vendimi i GjND-së, që fuqishëm konfirmon të drejtën e Kosovës për vetëvendosje politike në shpalljen e mëvetësisë.

Ndërkaq analisti, Artan Muhaxhiri për Portalin Dukagjini ka thënë se hendeqet historike kërkojnë shumë kohë, ndryshime kontekstesh, investime shumëdimensionale dhe guxim lidershipësh për t’u tejkaluar.

Sipas tij, raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë janë pafundësisht të komplikuara, prandaj do të kalojnë edhe disa dekada derisa t’i afrrohen gjendjes së fqinjësisë korrekte.

Në situatat e komplikuara politike, si e Kosovës ai ka thënë se është e kuptueshme që të shfrytëzohen edhe metoda alternative për testime idesh të caktuara, me qëllim të përfshirjes së tyre eventuale në diskurset publike.

Artan Muhaxhiri, analist politik

“Është gati e pamundur që dikush ta shpik një dokument të tillë, sepse rrezikon njollosjen mediale të imazhit të vet. Më e besueshme është që krijuesit e tij institucionalë, varësisht nga vlerësimet dhe interesat, t’i modifikojnë edhe pozicionimet përkatëse pas publikimit dhe debatimit”.

Sa i përket demantimit të kornizës së re së pretenduar së dialogut Kosovë-Serbi, ai ka thënë se është plotësisht e qartë që Gjermania ka vendosur të investohet më fuqishëm në dialog dhe roli i saj tashmë do të jetë më i rëndësishëm.

Ai ka thënë ndër të tjera se kornizë të re të dialogut mund të ketë vetëm nëse ekziston pajtueshmëria e të gjitha palëve të involvuara.

“Aktualisht nuk ka një vullnet të tillë, mirëpo mund të pritet dinamizim i agjendës dialoguese. Akti i njohjes së ndërsjellë mes dy vendeve është domosdoshmëri historike”.

Sipas Muhaxhirit, nga pala serbe kjo do të realizohet nga një lider i cili ia do të mirën Serbisë, duke e çliruar përfundimisht shtetin dhe popullin prej iluzioneve utopike në raport me Kosovën.

Sipas tij, njohja e Kosovës nga ana e Serbisë cilido model që të përzgjidhet, do ta transformojë identitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

“Më nuk do të ketë bllokadë për normalizimin e plotë të statusit, ndërsa anëtarësimi në Kombet e Bashkuara do ta vendosë Kosovën në piedestalin madhor të barabarësisë globale. Deri në arritjen e kësaj pike planet mund të ndryshojnë, mirëpo rrugëtimi do të mbetet i njëjtë”.

Ndër të tjera ai ka shtuar se pala kosovare duhet ta pranojë secilën marrëveshje e cila e garanton ndonjë format të njohjes nga Serbia dhe nuk e cenon substancën shtetërore.

“Kjo njohje do të vijë vetëm pas presioneve të mëdha ndërkombëtare dhe proceseve shumënivelore”.

Për Muhaxhirin, Serbia është dëshmuar si mosrespektuese tradicionale e marrëveshjeve me Kosovën, prandaj edhe marrëveshjet e ardhshme patjetër duhet të kenë klauzola kohore dhe përcaktime konkrete etapash – me përfitime për respektuesit dhe ndëshkime për shkelësit.

Ndryshe, pozita e Bernard Kushner kishte qenë një përzierje e kompetencave të kryeministrit dhe presidentit në një pozitë të vetme për ta zbatuar rezolutën e OKB-së, 1244.

Që nga ajo kohë, deklaratat në lidhje se si do shkojnë bisedimet Kosovë-Serbi kanë qenë të shumta.

Por synimi i dialogut sipas njohësve të politikës vazhdon të mbetet me qendër në njohjen reciproke.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika