Këshilli i Prindërve të Prishtinës ka kërkuar përmirësimin rrënjësor të testit të Arritshmërisë, ose në të kundërt, pezullimin e tij.
Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, kryetari i këtij këshilli, Jeton Demi, ka thënë se testi është larg përmbushjes së qëllimit të tij bazik.
“Testi i Arritshmërisë ka për synim të krijojë një matës të harmonizuar të vlerësimit të nxënësve në nivel vendi. Megjithatë, për shkak se procesi po komprometohet nga rrjedhja e testeve, kopjimi dhe parregullsitë, ky test është larg përmbushjes së qëllimit që ka. Si i tillë, ky vlerësim më shumë duket se shkakton zhvlerësim të sistemit arsimor parauniversitar (në mangësi të shumta menaxhimi dhe monitorimi) dhe krijon pabarazi mes nxënësve. Andaj, ky testim ose duhet përmirësuar rrënjësisht ose duhet pezulluar”, ka deklaruar Demi.
Se pakënaqësitë e prindërve dhe vetë nxënësve janë të shumta dhe prezente çdo vit, Demi nuk e ka mohuar.
“Pakënaqësitë e prindërve dhe nxënësve me atë proces janë të përvitshme, të shumta dhe të evidentuara. Pra, aspak nuk arrin ta justifikojë qëllimin që e ka”, ka deklaruar ai.
Sa janë reale rezultatet? A duhet të vazhdojë si metodë?
Eksperti i Arsimit, Egzon Gashi, vlerëson se testi i Arritshmërisë ka nevojë për përmirësime dhe rezultatet nuk janë më realet e mundshme.
“Aktualisht, nuk besoj se janë shumë të sakta për shkak që ka shumë raste kur shpërndahen pyetjet në viber ose në metoda të ndryshme në mes nxënësve e ndonjëherë fatkeqësisht edhe përmes mësimdhënësve e shkollave. Unë besoj se ky është problem thelbësor në kulturë, jo ta fajësojë një grup njerëzish, një person. Aq shumë rëndësi u japin këtyre testeve dhe në fakt rezultatet nuk janë aspak të sakta…as nxënësit nuk po dinë të performojnë më së miri. Po ashtu, nuk po dinë si ta zbatojnë testin më së miri”, ka thënë ai.
I njëjti nuk e ka mohuar se prezenca e tij mbetet “e nevojshme”.
“Unë besoj se mundet të vazhdojë se duhet të zbatohet dhe të mbikëqyret në mënyrë efektive, ato sigurisht ekzistojnë një arsye. Është vështirë ta krahasosj një student të Prishtinës me një të Prizrenit ose Gjilanit, kur nuk e ke një test kombëtar me pyetje të ngjashme, andaj bëhet ky test. Megjithatë, mënyra se si zbatohet dhe implementohet në terren është aq keq e menaxhuar saqë nuk ka rezultate të sakta dhe aktualisht nuk ka sukses, por nuk besoj se nuk duhet të shuhet. E ka një rol në sistemin e arsimit”, ka thënë Gashi.
Se a duhet të largohet një praktikë e tillë, zyrtari nga radhët e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Fatmir Elezi, ka thënë se roli i tij mbetet për t’u shqyrtuar.
“Testi i arritshmërisë vlerëson njohurit e nxënësve në lëndë të caktuara dhe shërben për orientimin e nxënësve në klasën e X. Një praktikë e tillë vazhdon edhe ketë vit, por në të ardhmen do të shqyrtohet roli i këtij vlerësimi”, ka thënë Elezi.
Por, se sa janë mundësitë e kopjimit të larta, Elezi thotë se varet nga administruesit.
“Në çdo klasë janë nga 15 nxënës ku i administron një administrues, prandaj mundësitë e kopjimit janë të vogla, mirëpo ka administrues të papërgjegjshëm dhe ndodh që nxënësit arrijnë të postojnë në rrjetet sociale materiale të testit”, ka thënë ai.
Ndërkaq, lidhur me kopjimin në teste të tilla, eksperti Gashi tha se një gjë e tillë është më se e dukshme që ndodh.
Në klasën e IX janë rreth 24 mijë nxënës që pritet të hyjnë në test, ka treguar Elezi.
Tashmë, MASHTI ka publikuar vendimin se kur do të mbahet testi i arritshmërisë këtë vit.
Më 4 korrik do të mbahet pjesa e parë e testimit, e cila përmban njohuri nga gjuha amtare, gjuha angleze, historia dhe gjeografia. Ndërkaq, një javë më vonë, përkatësisht më 11 korrik, do të mbahet testimi i njohurive për lëndën e matematikës, informatikës, kimisë, fizikës dhe biologjisë.