Bizneset online janë të njohura si “e-commerce” dhe konsistojnë në blerjen ose shitjen e produkteve ose shërbimeve duke përdorur internetin.
Kuptimi i fjalës “biznes onliine” ka ndryshuar me kalimin e kohës. Fillimisht ky term i referohej transaksioneve komerciale në formë elektronike, më pas i’u shtuan edhe funksione të tjera.
Funksionet përcjellëse që u mundësuan nga interneti janë: blerja e produkteve ose e shërbimeve përmes WWW (World Wide Web), duke përdorur servera të sigurt dhe me anë të shërbimit të pagesave online, përfshirë pagesat me karta krediti.
Helga Cecani, trajnere e bizneseve online, në një intervistë për Portalin Dukagjini ka treguar se rrugëtimi i saj në botën e marketimit dhe biznesit ka filluar rreth 10 vjet më parë. Fillimi për të nuk ishte i lehtë dhe i mirëmenaxhueshëm sa mund të jetë për ata që vendosin t’i futen kësaj rruge në ditët e sotme.
Cecani ka konsideruar sfiduese mungesën e informacionit dhe se shumë gjëra i është dashur t’i mësojë dhe t’i eksperimentojë vetë. Sfidë për Cecanin ishte dhe komunikimi me klientelën shqiptare, qofshin meshkuj apo femra.
“Studimet e mia i kam kryer në “Toulouse Business School” (shkollë biznesi në Francë) si dhe kam përfunduar Master në një nga universitetet më të mirë në botë, “Bocconi”. Kam ndjekur trajnime të shumta, por asgjë nga këto nuk mund të krahasohet me eksperiencën që ne marrim në jetë dhe në biznes”, ka thënë Cecani.
Trajnerja e bizneseve online ka filluar biznesin e saj si “Social Media Marketing” në moshën 19-vjeçare dhe mosbesimi ka qenë një ndër problemet më të mëdha me të cilin është përballur.
Ajo ofron trajnime online që përmbajnë eksperiencën profesionale dhe të gjitha informacionet që ka grumbulluar ndër vite si “Social Media Manager”, freelance dhe në krijimin e bizneseve.
“Une deri më tani kam krijuar 4 biznese online: Aqulia Social Media Marketing (agjensi e marketimit online), Alteco (kompani ku ofrohen shërbime të ndryshme digitale), një dyqan online në profilin e-commerce dhe një biznes fizik i cili operon në Francë”, ka thënë Cecani.
Sa i përket suksesit të pjesëmarrësve në trajnimet e saj, Cecani ka thënë se i ka lënë faktet të flasin.
Si duhet të veprojmë?
Trajnerja e bizneseve online ka cekur se shumë studentë që kanë arritur të marrin përfitimet e botës online kanë lënë dëshmitë e tyre të dokumentuara në rrjetet e saj sociale, në web-in e saj dhe, gjithashtu, në Youtube.
“Sigurisht, mes tyre ka dhe eksperienca sfiduese. Në fund çfarë është me e rëndësishmja? Të mësojmë dhe të kuptojmë që diçka tjetër ekziston dhe pse jo të marrim informacionet e para sesi “AJO gjëja tjetër funksionon”, ka vazhduar më tej Cecani.
E pyetur se si dhe ku duhet të aplikojnë pjesëmarrësit që duan të marrin pjesë në trajnimet e saj, ajo ka thënë se do të rekomadonte fillimisht të njihen me të dhe me mënyrën sesi gjërat me të funksionojnë. Në trajnimet e saj pjesëmarrësve iu ofrohet një këndvështrim për të njohur veten, pasionet dhe vlerat e tyre dhe më pas të mendojnë për një biznes.
Në trajnim “Spark” grupmoshat janë nga mosha 16-60 vjeçare. Cecani ka vënë në pah se nuk ka vendosur një kufi moshe, sepse mendon se gjithkujt mund t’i jepet një mundësi dhe gjithkush që dëshiron një mundësi, nuk ka pse t’i mohohet ajo. Për pjesëmarrësit minorenë që duan të jenë pjesëmarrës, prindërit duhet të jenë në dijeni.
Se sa janë optimistë shqiptarët duke u bazuar në përvojën e saj? Sipas saj, si në çdo vend të botës edhe shqiptarët ndahen në kategori të ndryshme.
“Ata që unë njoh dhe që kam ndeshur, për fat të mirë deri më tani, janë njerëz që duan të jenë optimistë, që duan të bëjnë gjëra për veten e tyre. Por, shpeshherë pengohen nga barriera të krijuara nga paradigmat shoqërore që përfshijnë turpin për të bërë diçka të re në moshë të caktuar, pengesa nga familja”, është shprehur Cecani.
Mosnjohja e vetës
Trajnerja e bizneseve online, Cecani ka thënë për Portalin Dukagjini se për shqiptarët që duan të bëjnë biznes, ndeshen shpesh në mosnjohjen e vetës dhe dëshirave të tyre.
Në mesin e gjërave “negative”, Cecani shikon njerëzit me dëshirë “të zjarrtë” për të ecur përpara. Në këto momente është i apo e lumtur dhe i duket sikur të gjitha këto barriera veniten.
Cecani ka shpjeguar se rrugëtimi drejt vetes, drejt të qenët të plotësuar dhe të suksesshëm në çdo aspekt, është i vështirë. Por, e rëndësishme për të është të mos shuhet dëshira për t’u zhvilluar.
Helga Cecani në pyetjen e Portalit Dukagjini se si i përkufizon shqiptarët në aspektin e vetëbesimit, ka thënë se viteve të fundit te shqiptarët sheh një dëshirë të jashtëzakonshme për zhvillim dhe është krenare për këtë.
“Sigurisht, ka edhe problematika, por nuk dua t’i përmend dhe t’u kushtoj vëmendje aspak, sepse realisht pozitivja është shumë më e madhe sesa negativja dhe jam gjithmonë e mendimit te përqendrohemi te gjërat pozitive”, ka shtuar Cecani.
Sipas saj, shqiptarët janë të zgjuar dhe “të etur” për ndryshim e sukses.
Trajnerja e bizneseve online ka rrëfyer se 80% e trajnimeve të saj janë falas dhe së shpejti në fund të korrikut do të zhvillojë trajnimin e radhës treditor mbi vetëbesimin, 100% falas.
Liderja në këtë fushë ka treguar se te të gjithë shqiptarët që marrin pjesë në trajnimet e saj sheh dëshirën “e zjarrtë” për të ndryshuar jetën e tyre, për t’i ardhur në ndihmë vetes, për t’u larguar nga vendet e punës ku nuk vlerësohen dhe për të ndihmuar veten dhe familjen.
“Unë ndeshem me këta njerëz përditë dhe këta njerëz janë kryefjala e punës sime”.
Cecani ka përfunduar duke thënë se, këtë dëshirë te shqiptarët e sheh, jo vetëm në biznes, por në çdo aspekt të jetës dhe se lumturia e vërtetë arrihet vetëm kur jemi të plotësuar në të gjitha pikëpamjet tona.