Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për mediumin boshnjak “Istraga” ka folur rreth situatës në veri të Kosovës.
Për gjatë intervistës, Kurit është pyetur se sa kohë i ka dhënë KFOR-it për të larguar barrikadat në veri, të cilat janë të vendosura që nga 10 dhjetori.
Kurti tha se kjo nuk mund të zgjasë as për muaj të tërë por, as për javë të tëra, kjo është çështje ditësh.
“Kjo nuk mund të zgjasë me javë. Jo vetëm që nuk mund të zgjasë me muaj, por nuk mund të zgjasë as me javë. Kjo mund të zgjasë me ditë. Dhe tani ne po hyjmë në vitin e ri dhe nuk mendoj se ato barrikada janë të vlefshme. Janë shumë të dëmshme, të gabuara dhe në të njëjtën kohë sjellin përvoja dhe kujtime të hidhura nga tridhjetë vjet më parë”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, se a ka ndonjë afat të vendosur për KFOR-in, Kurti gjatë intervistës ka thënë se mbi të gjitha duhet një takim me KFOR-in që do të jetë pas Krishtlindjeve.
“Para së gjithash, na duhet një takim me KFOR-in, i cili do të bëhet menjëherë pas Krishtlindjeve dhe më pas do të marrim një vendim se çfarë do të bëjmë dhe si do ta bëjmë”, ka shtuar Kurti.
Kurti ka thënë se barrikadat mund të largohen pa incidente nga pala kosovare, por që nga ana e serbëve nuk mund të dihet. Pasi ata janë të uniformuar dhe marrin direktiva nga Beogradi.
Nga ana jonë është e mundur. Por ana tjetër është e panjohur për ne. Njerëzit janë me uniformë. Nuk e dimë se si do të reagojë secili prej tyre kur të afrohet policia jonë. Unë di një gjë. Ata marrin direktiva nga Beogradi. Dhe ndërsa njerëzit ndryshojnë atje, është e qartë se ajo që është autonome dhe autentike nuk vjen nga vetë qytetarët. Këto janë formacione paraushtarake që kanë strukturën dhe urdhrat e tyre. Epo, tani do të thotë nëse do të ketë incidente apo jo, varet nga urdhrat e Beogradit. Kjo vjen nga qeveria serbe dhe presidenti serb. Vjen nga këta katër – Vuçiq, Bërnabiq, Vulin dhe Daçiq. Kjo është katërshja nga Beogradi që janë autoriteti kryesor dhe komandues për atë që po ndodh pas barrikadave.