Faqja qeveritare Integrimi Evropian i Kosovës ka ndarë disa informata të rëndësishme lidhur me afatin e pasaportës për qytetarët që duan të hyjnë në zonën Shengen pas 1 janarit 2024, kur edhe pritet të liberalizohen vizat.
Sipas kësaj faqeje, për të hyrë në zonën Shengen është e rëndësishme që qytetarët të kenë pasaportë me afat të mjaftueshëm.
“Pasaporta duhet të jetë e vlefshme për së paku tre muaj pas datës së planifikuar të largimit nga zona Shengen”, thuhet në njoftim nga Integrimi Evropian i Kosovës.
Tutje, aty theksohet se “nëse planifikoni të hyni në zonën Shengen më 1 mars 2024 dhe deklaroni te policia kufitare se do të qëndroni deri më 15 mars 2024, atëherë pasaporta juaj duhet të jetë e vlefshme së paku deri më 15 qershor 2024, pra tre muaj pas datës së planifikuar të kthimit”.
Ndryshe, më 18 prill të këtij viti, Parlamenti Evropian miratoi vendimin që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë në vendet e BE-së nga 1 janari i vitit 2024.