Ish i burgosuri politik, Ibish Neziri, ka rrëfyer në “Debat Plus” për torturimet që i janë bërë për shkak të veprimtarisë së tij kundër ish-Jugosllavisë dhe për fuqizimin e identitetit shqiptar.
Hetimet ndaj tij i kishte udhëhequr shqiptari nga Kosova, Asllan Sllamniku, që sipas Nezirit, ishte personi që kryente torturat më të tmerrshme, madje më të rënda se serbët.
Ai ka rrëfyer një moment kur Sllamniku i kishte thënë “cka po mendon ti? Kush mendon që je? A po i sheh këto dy duar? A e di sa njërit i ka dalë bari mbi trup prej këtyre dy duarve, a e di sa njeriut i ka dalë bari mbi varr prej këtyre dy duarve. Po ti sallatë për drekë s’më del. A e di sa njërin e kam shtri përdhe?”
Pastaj, sipas Nezirit, fillonte dhuna e tmerrshme fizike.
“Hetimet i ka udhëhequr Asllan Sllamniku. Ai i ka kryer, ka qenë torturuesi më i ashpër ka qenë Asllani, ai vetë ka qenë inspektor i lartë krahinor. Për Slavkoviqi kam dëgjuar ‘s’e di sa është e qëndrueshme, ka qenë zëvendës i shefit të UDB-së për Kosovë. Të dy i kanë udhëhequr hetimet, vinin prej Prishtine, dajakun. Asllan Sllamniku vinte mi heqke syzet, isha i lidhur, m’i qitke në tavolinë, më shikonte 10-15 minuta në fytyrë. Pastaj më thoshte çka po mendon ti? Kush mendon që je? A po i sheh këto dy duar? A e di sa njërit i ka dalë bari mbi trup prej këtyre dy duarve, a e di sa njeriut i ka dalë bari mbi varr prej këtyre dy duarve. Po ti sallatë për drekë s’më del. A e di sa njërin e kam shtri përdhe. Edhe m’i bëntë turinjtë kaq [nga dhuna]”, tha ai.
Neziri u shpreh se zhgënjimi shumëfishohej kur torturat i kryenin bashkëkombësit e tij.
“Është e dhimbshme, është zhgënjyese, por neve na ka mbajtur ideali. Është zhgënjyese, kur e sheh se është intelektual, i gjakut i gjuhës e i kulturës, ai për hesape të pushtuesit të torturon është shumë e dhimbshme. Atyre që e kanë bërë për qejf të vetit ua bëj hallall, por atyre që për qejf të slavokqitit s’ua bëj hallall”, tha ai.
Shqiptarët ishin ata që e kishin rrahur, madje edhe ia kishin djegur pjesët e trupit herë me cigare e herë me hekur të nxehtë.
“Janë përdorur rrahje, ka edhe djegie. Më kanë djegë me cigare, me hekur të nxehtë. Është sot janë bërë vite edhe sot e kësaj dite dhe unë edhe sot e kësaj dite vragët e torturës i barti edhe në shpirt e trup. 100 herë ka pas momente që e kam dashtë më shumë vdekjen se dhunën. Është një ish-gardian Isë Shala. Ai më tha se në burgun e Pejës dy më të maltretuarit keni qenë ti dhe Nasim Haradinaj. Me ndonjë përjashtim, gardianët kanë qenë për respekt”, tha ai.
Tutje, ai tregon një moment kur e kishin rrahu brutalisht duke e lënë pa vetëdije. Atë natë Neziri e kujton si një nga netët më të tmerrshme që e ka përjetuar.
“Janë të shumta Ermal, netët e ditët e vështira në burg. Një natë nuk e di në çfarë në raditator apo në qoshe të tavolinës më kanë gjuajtur. Në kurriz e kam një shenjë një prerje horizontale, kam qenë pavetëdije. Në vete kam ardhë në çeli, kam qenë i lagur nga uji, me dhimbje të tmerrshme në kurriz, ajo ka qenë një nga netët më të tmerrshme. Dënimet kanë zgjatur për mua 18 muaj”, tha ai.