Në emisionin Jeto me Xheneta Asllanin në Radio Dukagjini sonte u diskutua për varësinë nga drogat e ndryshme në vendin tonë.
I ftuar për të diskutuar për këtë çështje ishte Muharrem Ademi nga Qendra Labirinti, që ndihmon personat që kanë krijuar varësi nga lëndët narkotike.
Ademi bëri me dije se kjo qendër në databazën e saj ka 2980 persona të cilëve u ofron shërbime, prej të cilëve 91% janë meshkuj dhe 9% gra. Në bazë të hulumtimeve të tyre në terren, ata vlerësojnë se ne vendin tonë janë rreth 35 mijë përdorues aktivë të drogave, prej tyre rreth 10 mijë përdorues të cilët cilësohen problematikë, bazuar në përdorimin e lëndëve narkotike së paku 3 herë në javë.
Ademi deklaroi se marihuana apo kanabisi është droga më e përdorur në Kosovë, pas saj vjen kokaina, heroina e amfetaminat e ndryshme.
Sipas tij, mosha mesatare e fillimit të përdorimit të lëndëve narkotike në vendin tonë është 16 vjeç, duke regjistruar raste qysh në moshat 10 deri në 12 vjeçare. Moshat më të rrezikuara thekson Ademi, janë 14 deri në 17 vjeç.