Vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 do të jetë 105 euro.
Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë të mërkurën e një shkurtit.
Ai ka theksuar se kjo vlerë e koeficientit do të ndryshojë në vitin 2024, dhe nga janari i vitit të ardhshëm do të jetë 110 euro.
Këto ndryshime në Ligjin e Buxhetit janë dërguar për miratim në Kuvend.
Për të llogaritur pagën, duhet shumëzuar vlerën e koeficientit me koeficientin. Rezultati është paga bruto.
588 euro – ( kontributet 10 për qind 58.80 euro ) = 558.60 euro ( paga që tatohet ).
Shkallët tatimore
Paga prej 0 – 80 € = 0.00,
Paga prej 80 – 250 € = 6.80 euro
Paga prej 250 – 450 € = 16.00 euro
Paga mbi 450 € = 10.86 euro
Gjithsej tatimi = 33.66 euro
Paga neto = 558.60 – 33.66 = 524.94 euro.
Me koeficientin 14 është edhe drejtori i SHSKUK-së, ndërsa mjeku specialist e ka koeficientin 12, mjeku në specializim 8, mjeku i përgjithshëm, stomatologu dhe farmacisti e kanë koeficientin 7.4.
Ndërsa infermierët, varësisht nga niveli, e kanë koeficientin prej 5.1 deri në 5.6.
Drejtori i SHSKUK-së, me këtë koeficient do ta ketë pagën 1470 euro.
Ndërsa mjeku specialist 1260 euro. Kurse mjeku i përgjithshëm 777 euro.
Në anën tjetër kryeinfermieri me këtë koeficient i bie ta ketë 672 euro, ndërsa infermierët nga 588 e deri 535.5 euro.
Vlera e pagës së një rektori do të jetë 1491 euro, i dekanit 1344 euro, ndërsa profesorit të rregullt 1302 euro.
Drejtori i shkollës së mesme të lartë do ta ketë 661.5 euro, drejtori i shkollës fillore dhe të mesme të ulët do ta ketë 651 euro.
Në anën tjetër, mësimdhënësi në shkollë të mesme të lartë e ka koeficientin 5.8 që i bie që paga është 609 euro.
Ndërsa mësimdhënësi në shkollë fillore dhe të mesme të ulët e ka koeficientin 5.6 që i bie 588 euro. Ndërkaq, edukatori do ta ketë 535.5 euro.
Ligji, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, nuk e ka përfshirë vlerën e koeficientit, e cila përcakton një tavan deri ku mund të paguhet një punonjës i shtetit.
Ligji për paga zbatohet për punonjësit e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i shtetit, me përjashtim të punëtorëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).
Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë.
Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 deri në 170 euro.
Kjo vlerë, e pandryshuar qysh në vitin 2011, është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.
Ndryshe, të mërkurën, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë ka thënë se vlera e koeficientit për vitin 2023 është arritur në 105.
Sipas tij në janar të vitit 2024, i njëjti do të jetë 110.
“Është arritur te vlera e koeficitentit për 2023, dhe ai është 105 ndërsa në janar të vitit 2024 do të jetë 110”, ka thënë Kurti.
E reja sipas tij është se për çdo vit do të vlerësohen mundësitë buxhetore dhe do të bëhet ndryshimi i koeficientëve sipas atyre mundësive.
Pas kësaj nuk do të ketë më stagnim të pagave.
“Ato do të lëvizin sipas rritjes apo sipas punës dhe reultateve që kemi të gjithë bashkë në rritjen ekonomike të vendit. Në shërbimin civil janë mbështetur ata që kanë qenë në fund të tabelës. Punëtorët e teknikët do ta ketë trajtimin dinjitoz”, shtoi ai.
Kreu i Qeverisë ka thënë se Fondi i pagave për herët të parë po rritet me 100 milionë euro.
“Në javët në vijim do të paraqiten edhe skemat e reja të punësimit”.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se vlera e koeficientit për paga është përcaktuar në bazë të kalkulimit, “Koeficienti është përcaktuar në bazë të kalkulimit dhe me anë të tij krijohet mundësia që të ketë fleksibilitet” “Koeficienti për këtë vit do të jetë 105 euro, e pastër pa shtesa, ndërsa 110 pritet të jetë në vitin 2024”.