Sadik Duraku lirohet nga burgu i Serbisë

Sadik Duraku, ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [UÇK] është liruar nga burgu i Serbisë.

Këtë për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Leotrim Sahiti.

“Lirohet Sadik Duraku nga paraburgimi në Serbi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njofton që është liruar Sadik Duraku, shtetas i Republikës së Kosovës dhe Britanisë së Madhe, i cili ishte arrestuar më 17 prill 2024 në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi në Batrovci, nën akuzat gjoja për krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kosovë në vitin 1999. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të vazhdojë të ndjekë nga afër rastet e tilla duke njoftuar edhe bashkësinë ndërkombëtare rreth veprimeve arbitrare dhe destruktive të Serbisë të cilat bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në përgjigjen e Sahitit.

Vlen të theksohet se Sadik Duraku është ndaluar nga 17 prill të këtij viti në kufirin serbo-hungarez, nga autoritetet serbe.

Që nga ajo kohë, Duraku po mbahej në një burg në Beograd, me akuzat për kryerjen e krimeve të luftës si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për këtë rast, pati shkruar edhe mediumi britanik “BBC”, ku tha se “familja e një britaniku që po mbahet në një burg serb, po bën thirrje për më shumë ndihmë nga qeveria e Britanisë së Madhe, duke pretenduar se akuzat kundër tij janë të pabaza dhe të motivuara politikisht”.

Siç shkroi BBC, Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se “ne po e mbështesim një britanik të arrestuar në Serbi dhe jemi në kontakt me autoritetet lokale”.

“Në prill, Duraku u arrestua teksa po kalonte kufirin serbo-hungarez – një udhëtim që ai e kishte bërë shumë herë më parë. Këtë herë, ai u ndalua nga policia kufitare serbe dhe u akuzua për krime lufte që dyshohet se janë kryer si pjesëtar i UÇK-së”.

Sadik Duraku është vetëm njëri prej qytetarëve të Kosovës që janë duke u mbajtur në paraburgim në Serbi, viteve të fundit.

Më 1 qershor, autoritetet serbe e kanë ndaluar edhe Tefik Mustafën në pikëkalimin në mes të Kosovës dhe Serbisë, Merdare, nën dyshimet se ka kryer krime lufte kundër popullatës joshqiptare gjatë luftës në Kosovë, më 1999.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka bërë të ditur se Mustafa, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është përmendur në deklaratat e dëshmitarëve si pjesëmarrës në kidnapimin e tre policëve në qershor të vitit 1999 në Kosovë, “pas të cilit u humbën të gjitha gjurmët. ”

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës e ka konsideruar arrestimin e Mustafës si arbitrar dhe ka kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tij.

Shija e redaktorit

Kosova mposhtë Lituaninë

Kosova ka marr tri pikët e radhës, duke trimfuar si mysafir i Lituanisë me rezultat 2-1 në kuadër të xhiros së tretë të Ligës...

Imer Mushkolaj kolumnist i rregullt në Dukagjini.com

Analisti Imer Mushkolaj do të jetë kolumnist i rregullt në portalin Dukagjini. Ai përmes kolumneve do të paraqes pikëpamjet dhe analizat e tij mbi politikën...

Emisari i ri i SHBA-së viziton Kosovën

Emisari i ri amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, këtë të enjte ka nisur vizitën e tij në Kosovë, e cila u konfirmua nga...

Të fundit nga rubrika