Sot është raportuar se UEFA ka vendosur që ta përjashtojë nga Kampionati Evropian “Gjermani 2024”, gazetarin nga Kosova, Arlind Sadiku.
Sipas medieve, shkak për këtë vendim është bërë gjesti i gazetarit shqiptar në ndeshjen Serbi-Angli, të luajtur më 16 qershor, i cili bëri me duar simbolin e shqiponjës para tifozerisë serbe.
Pas lajmit ka reaguar gazetari Arlind Sadiku, i cili tha se festa me shqiponjë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë asnjëherë vepër kriminale.
“Festa me shqiponjë asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë vepër kriminale! Nuk kam ofenduar as provokuar dikë. Thjesht jam krenuar me simbolin që na përfaqëson. Unë jam krenar që jam shqiptar dhe asnjëherë nuk frikësohem ta deklaroj këtë edhe nëse krejt bota qohet në këmbë. Është një precedent i rrezikshëm nëse pranohet si i mirëqenë ky vendim nga shqiptarët dhe institucionet shtetërore, sepse hap një kapitull të ri. Bëje simbolin e shqiponjës e raporto thirrjet raciste ndaj një populli të tërë – përjashtohesh, e hap rrugë për huliganët e një populli tjetër të bëjnë lirshëm thirrje fashiste. Çka do të ndodhë pas pak kohësh kur do të organizohet evropiani mes Shqipërisë me Serbinë? Do të përjashtohen të gjithë ata që janë në detyrë dhe e ngrisin shqiponjën? Do ta pranoni këtë vendim? Ju duket i drejtë?,” ka shkruar Sadiku.
Teksa shton se fqinjët janë mobilizuar dhe alarmuar shpejt për të raportuar veprimin e tij, sepse ndihen të rrezikuar nëse del një shqiptar dhe nuk frikësohet të thotë të vërtetën me krenari.
“Fqinjët u mobilizuan dhe u alarmuan shpejt për ta raportuar veprimin tim, sepse ndihen të rrezikuar nëse del një shqiptar dhe nuk frikësohet të thotë të vërtetën me krenari. Ata janë gëzuar dhe e festojnë këtë ngjarje si fitore, ndërsa kushdo nga ne që i gëzohet, është prej tyre. S’ka rëndësi a jam përjashtuar apo jo, karriera ime është shumë e vogël. Nuk është humbje e Arlind Sadikut, as e një gazetari, është humbje shtetërore e kombëtare, nëse heshtet,” shkruan Sadiku.
Gazetari bën të ditur se po e përcjell lojën në përkrahje të kombëtares nga tribunat.
“Sot jam në Hamburg në përkrahje të kombëtares nga tribunat, me tifozët. Me krenari festoj përsëri me shqiponjë dhe askush nuk do mund të ma ndalojë deri në vdekje! Forca Shqipëria”