Naim Sadiku nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) për protestën e sotme në përkrahje të mediumit Klan Kosova, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se protesta ishte jashtë pritshmërive sa i përket numrit të pjesëmarrësve.
“Besoj fuqishëm se ky mesazh është arritur të përçohet”, ka thënë Sadiku, duke shtuar se për këtë ngjarje kanë raportuar mediat vendore, rajonale dhe ndërkombëtare.
Sadiku ka thënë se vendimi i MINT-it është konsideruar puropolitik dhe i qëllimshëm për të cënuar lirinë e medias dhe të shtypit.
“Është e papranueshme fushata e egër e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të ministrave, të deputetëve që kanë pasur para, pas dhe gjatë protestës. Edhe në këto momente që po raportojmë vazhdojnë të shkrujnë, të godasin, të fyejnë, të ofendojnë, t’i linçojnë gazetarët dhe kjo absolutisht është e papranueshme. Gazetarët nuk frikësohen përballë asnjë lloj pushteti, sepse është në të drejtën e tyre dhe e drejta e patjetërsueshme është liria e medias, liria e shprehjes dhe liria e fjalës për secilin”, ka shtuar Sadiku.
Ai ka shtuar se çfarëdolloj arsye që mund të kenë MINT-i për vendimin rreth lincencës së Klan Kosovës, “fshihet tendenca e pushtetit për ta linçuar, frikësuar mediat” dhe sipas tij, ky ishte kundërshtimi dhe shqetësimi i tyre.
Të hënën, në shenjë revolte kundër pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka organizuar një protestë në qytetin e Prishtinës.
Me moton “Demokracia vdes në errësirë”, dhjetëra gazetarë dhe qytetarë kanë dalë në rrugë për të shprehur solidaritetin e tyre me Klan Kosovën dhe për të luftuar për lirinë e medias në vend.
Siç raporton ekipi në terren i RTV Dukagjini, një qytetar është konfrontuar me gazetarët, pasi u ka thënë se janë mercenarë dhe në duar kishte një pankartë.
Protesta filloi në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”.