Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, teksa ka reaguar ndaj deklarimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili kishte thënë se do të ketë “reagim vdekjeprurës” ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosje të masës së reciprocitetit, ka thënë se nëse Vuçiq guxon të marrë ndonjë akt aventuresk, atëherë atë e pret fati i “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq.
Berisha, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka theksuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës bazohet në Marrëveshjen e Brukselit.
“Pas kërcënimit një muaj më parë për reagim vdekjeprurës ndaj Kosovës, presidenti i Serbomadhesë Vuçiç, sot thirri një konferencë shtypi të jashtëzakonshme në të cilën ai kërcënoi haptas perëndimin duke u shprehur se ‘nuk beson se doni konflikt në Kosovë’. Dmth, sipas tij, zbatimi i marrëveshjes nga Qeveria e Kosovës do të përdoret nga ai si ‘Casus Beli’, dhe kjo dëshmon qartë se, Vuçiç është një kërcënim i vërtetë për paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe se ai paraqet një Putin të vogël në Ballkan. Ky reagim me kërcënim vdekjeprurës dëshmon se nacionalizmi i verbër serb është sot njëlloj si në kohën e Millosheviqit, një fuçi baruti shumë i rrezikshëm për Ballkanin”, ka shkruar ai.
“Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe qëndrimin e Presidentit të serbomadhisë Aleksandër Vuçiq ndaj marrëveshjeve dhe kërcënimin e tij për reagim vdekjeprurës ndaj vendimit legjitim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, parlajmëroj presidentin e serbomadhisë të lërë kërcënimet dhe të mos guxojë ndonjë akt aventuresk se fati i kasapit të Ballkanit, atit të tij shpirtëror Sllobodan Millisheviq e pret”, shkroi Berisha.
Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur edhe presidentit Vuçiq, pasi ky i fundit tha se Qeveria e Kosovës ka dërguar njësitet e tyre paraprakisht në Jarinje dhe Bërnjak, me dëshirën që të ndalojnë të gjithë ata që kanë letërnjoftime.
“S’ka asnjë mundësi për tension dhe destabilizim. Ata që flasin për tensione flasin për vete, ne jemi republikë parlamentare dhe paqësore. Unë jam kryeministër i progresit dhe shpresës, në Serbi ka shumë politikanë që janë udhëheqës të frikës dhe frikësimit”.
Ndryshe, vendimi i cili parasheh zëvendësimin e targave në targat zyrtare të Republikës së Kosovës do të hyjë në fuqi nga e hëna e një gushtit.
Qytetarëve me letërnjoftime të Serbisë do t’u dorëzohet një dokument në hyrje dhe dalje nga vendi, ngjashëm siç ndodh me qytetarët e Kosovës kur futen në territorin e Serbisë.