Ky postim në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje mund t’i shkaktoj probleme ligjore.
Kjo pasi nënkryetari aktual i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku ka paditur këtë parti, pasi që i njëjti pretendon të mos ketë pasur terminal doganor, që ndryshe thuhet në postimin e Lëvizjes Vetëvendosje me datë 10 tetor të këtij viti.
“Terminali i Devollëve, i Sami Lushtakut, i djemve të Isa Mustafës, i Margarita Kadriut, që kaluan nga prona publike në private duke u sjellë për 10 vjet 37 milionë euro këtyre familjeve që sunduan me vendin, me Qeverinë Kurti janë kthyer në pronësi publike”, thuhet në postimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Lidhjen e tij me terminale doganore e mohon avokatja e tij Besiana Ismaili.
“Në këtë rast përgjegjës për fyerje dhe shpifje është subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, deklarimi i Vetëvendosjës është i paqëndrueshëm, i pavërtet dhe i pa argumentueshëm, dhe se informacioni se Z.Sami Lushtaku nuk ka terminal doganor është fakt që Vetëvendosje e di, dhe është dashur ta dijë”, tha Ismaili.
Ismali tha kanë kërkuar nga Vetëvendosje siç thotë tërheqjen e informacionit të pasaktë.
“Me datën 17.10.2024 ne e kemi paraqitur një kërkesë, drejtuar subjektit politik Vetëvendosje për përmasimin e shprehjes fyese, tërheqjen e informacionit të pasaktë, edhe demantimin e shprehjes së pasaktë për të cilën kërkesë ne fare nuk kemi pranuar përgjigjëje akoma në mbështetje të nenit 5 të po këtij ligji për shpifje dhe fyerje Vetëvendosje është përgjegjëse për shpifje dhe në mbështetje të nenit gjashtë të këtij ligji Vetëvendosje ka barrën e provës për të vërtetuar, vërtetësinë e kësaj deklarate”, shtoi Ismaili.
Ismaili thotë se kanë kërkuar edhe dëmshpërblim të dëmit, ku kompensimi i dëmit duhet të jetë në proporcion me dëmin e shkaktuar që lidhet me reputacionin e Sami Lushtakut.
TV Dukagjini ka kërkuar një qëndrim nga zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka në lidhje me këtë padi, por që nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e kronikës.