Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, e cilëson pozitive pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, ku është duke u përfaqësuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Në një linjë direkte telefonike në emisionin “Magazina”, në RTV Dukagjini, Arifi konsideron se pjesëmarrja e Kosovës në këtë samit është mundësi e mirë për të lobuar për procesin e liberalizimit të vizave.
“Pozitivja e kësaj është që Kosova është e përfaqësuar sidoqoftë në çfarëdo forme dhe Kosova tash mund të lobojë për veten e vet, sidomos është një rast i mirë që të diskutohet për liberalizimin e vizave sepse e dimë që mbledhja e radhës e grupit punues të Këshillit të ministrave e dimë që është më datë 13 dhe është një kohë e mirë për të lobuar te vendet skeptike”, është shprehur ai.
Në këtë forum, përveç vendeve të Bashkimit Evropian, po marrin pjesë edhe vendet joanëtare të saj, në veçanti vendet kandidate potenciale siç janë Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.
Sipas profesorit Arifi, pos çështjes së liberalizimit të vizave, në margjina të këtij samiti presidentja e vendit do të mund të diskutojë edhe për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
“Osmani nuk do të diskutojë vetëm për çështjen e vizave, sepse e dimë që problemi më i madh për Kosovën dhe integrimin e Kosovës në BE është përfundimi i dialogut, prandaj është një rast i mirë ku do të diskutohen disa modalitete dhe forma se si Kosova e sheh zgjidhjen përfundimtare pikërisht duke u takuar me krerët e disa shteteve më të fuqishme në BE si Franca e Gjermania”, shtoi ai.
Arifi ka potencuar se e para e vendit mund ta përfaqësojë idenë e zgjidhjes reciproke.
“Njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë si zgjidhje afatgjate për ta ndërtuar paqen e qëndrueshme, sepse çdo zgjidhje gjysmake do ta lërë prapë rajonin në mëshirën e vendeve të treta apo interferimeve të vendeve të treta”.
Ndonëse, sipas Arifit, është një forum ku do të diskutohen çështjet politike dhe ekonomike, ai beson se njëra nga temat në fokus të këtij takimi që ai e quan “joformal”, do të diskutohet për luftën në Ukrainë dhe implikimet e saj në ekonominë evropiane dhe më gjerë.
Kosova e ftuar me fusnotë
Në këtë samit, Kosova është e ftuar me fusnotë.
Por, kjo nuk paraqet ndonjë problem sipas Arifit, ngase siç thotë ai janë disa vende në BE që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Ky forum nuk besoj se do të marrë ndonjë vendim të madh, është një forum joformal po ashtu të gjithë ekspertët e BE-së brenda BE-së kanë thënë se është një iniciativë e mirë, por nuk merr vendime politike. Dhe në fund të këtij samiti nuk do të ketë një komunikatë të përbashkët, sepse kanë dashur t’i ikin mospajtimeve të temave të ndryshme politike por edhe ndoshta për shkak të luftës dhe mosnjohjeve nga vendet për pavarësinë e Kosovës dhe në njëfarë mënyre këtu është gjithçka në mënyrë joformale”, ka thënë ai.
Për nga këndvështrimi i tij, ani pse është ftuar me fusnotë, krerët e vendit nuk duhet t’i refuzojnë ftesat e tilla.
“Nga këndvështrimi im nuk duhet të ketë refuzim, por e përmenda për të vetmin qëllim sepse qeveria aktuale e Kosovës ka qenë ajo që e ka refuzuar më së shumti, sepse fusnota ka qenë një gjetje diplomatike për t’ia mundësuar Kosovës që te jetë prezent dhe ta përfaqësojë veten në këto forume të tilla ku Kosova nuk pranohet si shtet. Kjo është esenca, duhet të shkojmë por e përmenda që për partinë në pushtet që diplomacia nuk thuhet po dhe jo por shikohen të gjitha alternativat e mundshme për t’u arritur qëllimi politik i një vendi”.
“Përafrim i qëndrimeve shpejt, zgjidhja Prishtinë-Beograd larg”
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, ndonëse nuk pret zgjidhje të problemit në një kohë afatshkurtër, megjithatë ai ka thënë se brenda vitit të ardhshëm mund të ketë përafrim të qëndrimeve midis dy palëve.
Ai ka deklaruar se zgjidhja përfundimtare është ende larg.
“Nuk pres në një kohë afatshkurtër zgjidhje të problemit, por përafrim të qëndrimeve mund të kemi brenda vitit të ardhshëm, zgjidhja më duket pak larg”.
Po ashtu, sipas tij, BE-ja duhet të tregohet më serioze duke e parë rrezikun nga lufta në Ukrainë dhe shpërndarja e saj për një destabilzim edhe në rajonin e Ballkanit.
“Ky është një takim ku mund të diskutohet sidomos nga pala kosovare, të njëjtën besoj do ta bëjë edhe pala serbe, dhe do të shohim se si do të rrjedhë procesi në vendimmarrje, sidomos nga dy vendet si Franca e Gjermania. Dhe nëse ka një vullnet të fuqishëm politik nga këto dy vende duke parë rrezikun nga lufta në Ukrainë dhe shpërndarja e saj për një destabilzim edhe në rajonin e Ballkanit, atëherë BE-ja do të tregohet më serioze në këtë çështje”.
“Tash duhet të merren vendime të vështira edhe për BE-në, edhe për Kosovën dhe Serbinë, sepse kështu siç është situata mund në çdo moment të eskalojë dhe involvimi i Francës dhe Gjermanisë është pikërisht që të mos eskalojë gjendja por të gjendet një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur”.
Ndryshe, Osmani do të zhvillojë takim trilateral të enjten e gjashtë tetorit në Pragë të Çekisë.
Osmani do të takohet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron, kanë bërë të ditur burimet për Portalin Dukagjini.
Liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe liderët e 17 vendeve të tjera evropiane do të takohen në Pragë të Çekisë për të diskutuar për luftën në Ukrainë dhe për implikimet e saj në fusha të ndryshme të politikave.
Ky takim, po ashtu, është për të lansuar Bashkësinë Politike Evropiane, një ide që fillimisht është promovuar në maj nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Ndërsa një ditë më pas, më 7 tetor, kryeqyteti çek do të jetë nikoqir i një samiti joformal të Bashkimit Evropian që gjithashtu do të mbahet në Kështjellën e Pragës.
Liderët nga 27 shtetet anëtare do të bisedojnë për sanksionet e Rusisë, për krizën energjetike, teksa kontinenti pritet të përballet me një dimër të vështirë.
Me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe kryeministrit të Çekisë, Petr Fiala, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Pragë ku do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë evropianë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave të përbashkëta.
Para liderëve evropianë, e para e vendit do ta përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Kosovës për integrimin euroatlantik të Kosovës si garanci për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë.
Gjatë takimeve bilaterale, Osmani do të diskutojë edhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Ky takim vjen pesë muaj pasi komuniteti u ngrit fillimisht nga presidenti francez, Emmanuel Macron, si një përgjigje ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë dhe rishikimit të plotë gjeopolitik që ajo shkaktoi në kryeqytetet evropiane.