Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, qëndron prapa tentim-vrasjes së opozitar, Nikolla Sandulloviq.
Kështu e ka akuzuar presidentin serb vetë Sandulloviq, i cili në fillim të këtij viti ishte dhunuar deri në alivanosje nga agjent e BIA-s serbe – për shkak të homazheve në kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
Në një intervistë në RTK, Sandulloviq ka bërë të ditur se ende nuk është shëruar nga lëndimet që ka pësuar.
“Sinqerisht t’ju them, nuk jam mirë, ndiej dhembje në anën e majtë nga një brinjë e thyer që ende nuk është shëruar dhe fatkeqësisht ende nuk mund ta lëviz as dorën e as këmbën e djathtë. Më shumë jam i brengosur se si do të vazhdojë kjo punë më tutje, se për atë që kam përjetuar. Të jem i sinqertë, nuk ndiej kurrfarë sigurie dhe, siç e shihni, vetë situata për mua dhe familjen time është ende e ndërlikuar. Vajza ime është e ekspozuar ndaj sulmeve, kërcënimeve dhe mesazheve të ndryshme, të cilat kanë filluar në rrjete të shumta dhe me publikimin e fotografive të saj.
Pra, situata është vetëm vazhdimësi e asaj që keni dëgjuar nga historitë e mia dhe ndodhive mes meje dhe Aleksandër Vuçiqit. Gjithçka ende po vazhdon. Por tani presioni është edhe më i madh dhe kërcënimet janë të dukshme dhe të hapura, siç janë kërcënimet me jetë, dhunime, djegie të shtëpisë e kështu me radhë”, ka thënë Sandulloviq.
Teksa akuzoi direkt presidentin serb për rrahjen dhe torturat, ka thënë se deri tash asnjë organ hetues nuk është marrë me rastin e tij.
“Dëshmi e kësaj është edhe deklarata e djeshme e Aleksandër Vuçiqit, i cili në konstatimin e kryeministrit Albin Kurti në Këshillin e Sigurimit, që policia sekrete më ka rrëmbyer dhe më ka rrahur deri në atë masë, saqë kam mbetur i paralizuar, theksoi se unë jam personalitet i panjohur. Mua më njohin me mijëra njerëz në Serbi, e mos të them miliona njerëz të tjerë nga e mbarë bota, ndërsa Vuçiq thotë që jam personalitet i panjohur, i cili ka marrë pjesë në zgjedhje dhe nuk i ka fituar as 0,1% të votave.
Kjo është një gënjeshtër e madhe sepse ai në përgjithësi po përpiqet të shtrembërojë historinë dhe unë jam i bindur nga përgjigjja dhe mohimi i ngjarjes nga ana e tij që, ai (Vuçiq), është njeriu i cili ka qëndruar prapa kësaj ngjarjeje dhe gjithë kësaj historie të tmerrshme, torturave dhe rrahjeve dhe lirisht mund të them tentim-vrasjes”, ka shtuar Sandulloviq.
Sandulloviq: Në mesin e atyre që më rrahën ishin edhe Rakiq e Radojiçiq
Më tej Sandulloviq ka thënë se pjesë e atyre që e torturuan ishin edhe krerët e Listës Serbe, Goran Rakiq e Milan Radojiçiq, si dhe lideri i bandave në veri, Zvonko Veselinoviq.
Ai ka thënë se agjentët e BIA-s e kanë kidnapuar në orën 14 e 40 minuta para shtëpisë dhe deri në orën 21 është ballafaquar me rrahje, torturë, kërcënime me vrasje për të dhe familjen e tij dhe urrejtje të pafundme ndaj shqiptarëve, duke i quajtur “shiptari”.
“Është si në ata filmat e tmerrshëm, kur nuk mund të besoni që ajo është duke ju ndodhur në një institucion shtetëror i cili duhet të mbrojë qytetarët dhe i cili duhet ta mbrojë Kushtetutën. I kam njohur fytyrat, të cilët janë shumë të njohur për ju, dhe se njëri nga ato figura, pra të cilët më kanë xhiruar me telefon, ka qenë edhe kryetar i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili po ashtu më ka sharë me nënë dhe më ka xhiruar. Që të gjithë kanë xhiruar sipas urdhrit dhe kur njëri nga ata i ka pyetur, a e xhiruat dhe a e dërguat, ata janë përgjigjur me po.
Më pas atij grupi i kanë thënë që t’i fshijnë menjëherë, ndërsa personat e tjerë që kanë qenë me maska, ekziston mundësi e madhe që njërin prej tyre e kam njohur dhe mund ta them se ka qenë Milan Radoiçiq, ndërsa personi tjetër, i cili për katër orë ka qëndruar mbi mua, më është futur në fytyrë, më ka grushtuar pas koke dhe m`i ka shkelur duart me këmbë, sepse e shikonim njëri-tjetrin në sy në një largësi prej 20 deri 30 centimetra, dhe ata sy i kam mbajtur në mend dhe me siguri të madhe mund të them që ai ka qenë Zvonko Veselinoviq”, ka treguar Sandulloviq.