Si duket jo të gjithë mësimdhënësit ishin të një mendimi me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), për grevën njëorëshe të mbajtur të enjten.
Edhe pse shumica e shkollave dhe mësimdhënësve e respektuan vendimin e SBASHK-ut, kishte nga ata që nuk e bënë një gjë të tillë.
Siç njofton vetë SBASHK-u, shkolla e vetme në Kosovë që nuk iu bind urdhërave të tyre ishte shkolla fillore “Iliria” në Prishtinë.
Këtë veprim të kësaj shkolle SBASHK-u e arsyetoi duke thënë se mund të jenë keqinformuar nga ish-kryetari i shoqatës sindikale në shollën e lartpërmendur.
“Greviste Komunale dhe Universitete (Këshillat Greviste të SUSHK-ut) tregon se pas mbajtjes së grevës njëorëshe edhe në ndërrimin e dytë në nivel vendi, greva ishte e realizuar pothuajse 100%, përjashtim bën vetëm shkolla fillore “Iliria” në Prishtinë, të cilët nuk e kanë respektuar thirrjen për grevë, për shkak se në këtë shoqatë sindikale ende nuk janë kryer zgjedhjet e ndoshta janë keqinformuar nga ish-kryetari i kësaj shoqate sindikale”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.
Grevën nuk e respektuan edhe disa mësimdhënës në mënyrë individuale. SBASHK-u bën të ditur se në Komunën e Deçanit, ishin dy mësimdhënës që nuk iu bindën vendimit të tyre për grevë njëorëshe. Po ashtu, njëjtë vepruan edhe dy mësimdhënës të tjerë, njëri në Komunën e Gjilanit e tjetri në të Rahovecit.
Sipas Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, me gjithë këto përjashtime të vogla, grevës iu kanë përgjigjur rreth 27 mijë punonjës të arsimit.
Ata kanë ripërsëritur se, nëse deri më 20 maj nuk kanë ndonjë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, do të ketë një protestë bashkë me të gjitha sindikatat e tjera. Nëse edhe atëherë nuk ju plotësohen kërkesat, SBASHK-u ka paralajmëruar grevë të përgjithshme.