SBASHK-u ka kritikuar Qeverinë për qasje të gabuar ndaj sindikatave dhe ikje nga dialogu, në konferencën e fundvitit.
“Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj duke prezantuar raportin e punës ka deklaruar se fatkeqësisht edhe në vitin 2023 Qeveria Kurti e në këtë kuadër edhe Ministrja Nagavci kanë vazhduar me qasjen e gabuar ndaj sindikatave dhe i kanë ikur dialogut të mirëfilltë për çka përmes shkresave janë kritikuar edhe nga Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), që numëron 11 milionë anëtarë dhe Internacionales Botërore të Arsimit (EI), që numëron 32 milionë anëtarë”, thuhet në njoftim.
Tutje, kreu i SBASHK-ut ka thënë se ekzekutivi madje ka pasur tendencë për shuarjen e tyre.
“Jasharaj ka kujtuar edhe tendencën e Qeverisë për shuarjen e sindikatave përmes pengesave të regjistrimit në e-Kosova, por u ka shkuar huq, siç tha Jasharaj, sepse shumica e të punësuarve në arsim kaloi këto barriera duke dëshmuar se janë bashkë e në SBASHK. Ai pastaj ka përgëzuar veprimtarët sindikalë dhe stafin qendror, të cilët kanë arritur të realizojnë detyrat e planifikuara për vitin 2023”, vazhdon njoftimi nga SBASHK-u.
Ndërkaq, Këshilli Drejtues ka shpallur koordinatorin për organizim të brendshëm, Ymer Ymerin, si sindikalist të vitit, ndërkaq kryetarin Rrahman Jasharaj si sindikalist të vitit në nivel vendi.