Cilësia në arsim mbetet një nga temat më të diskutueshme të çdo qeverie të re, edhe kur ato ndërrohen problemet mbesin të njëjta.
Një nga problemet e kamotshme të sistemit arsimor në Kosovë, mbetet niveli i performancës së mësimdhënësve në shkollat fillore e të mesme.
Qeveria aktuale më në fund ka gjetur gjuhë të përbashkët për një temë me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (ShBASHK), e ajo është mënyra se si do të bëhet vlerësimi i performancës së mësimdhënësve.
SBAShK-u dhe MAShTI-i janë pajtuar që të mos ketë testim të mësimdhënësve, por vetëm vlerësim të performancës së tyre.
Teksa, numri i vogël i inspektorëve dhe joefikasiteti i tyre për ta vlerësuar performancën e mësimdhënësve, ka bërë që të merret një vendim i ri që vlerësimin e mësimdhënësve ta bëjnë drejtorët apo zëvendësdrejtorët e shkollave përkatëse.
Duke e pasur parasysh se një pjesë e drejtorëve të shkollave janë përzgjedhur në mënyrë politike, ka bërë që disa mësimdhënës t’i ngritin dyshimet se sa do të jenë reale vlerësimet e tyre.
Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili ka thënë se me gjithë hezitimin e disa mësimdhënësve, vendimi për vlerësimin e mësimdhënësve nga drejtorët e shkollave ka qenë i duhur dhe se sindikata e arsimit është pajtuar me të.
Sipas tij, secili mësimdhënës që nuk pajtohet me vlerësimin e drejtorit të shkollës, që dyshon se ai vlerësim është bërë në shenjë hakmarrjeje apo në çfarëdo forme tjetër, mund të ankohet në Drejtorinë Komunale për Arsim, në komunën e tyre përkatëse, dhe pastaj vlerësimi do të mund të bëhet nga inspektorët profesionalë.
“Ka pasur hezitime dhe mëdyshje nga mësimdhënësit se drejtorët i kemi goxha politikë, a do të jetë vlerësim real për të gjithë, por unë konsideroj që edhe kjo çështje ka gjetur zgjidhje, secili mësimdhënës që dyshon se drejtori nuk e ka vlerësuar si duhet për shkak se ai apo ky nuk e përkrah ndonjë subjekt politik, mund të ankohen në DKA, pastaj pse jo edhe në MAShTI për t’u vlerësuar përsëri”, ka deklaruar Jasharaj.
Kryetari i SBAShK-ut është shprehur se vendimi ka qenë i pranueshëm për SBAShK-un, për shkak se sipas tij drejtorët e shkollave janë më afër mësimdhënësve sesa inspektorët. Ai ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit është duke punuar që përmes vlerësimit të performancës të parashihet edhe gradimi i mësimdhënësve. Pastaj sipas tij në ligjin e pagave të përfshihet një shtesë në pagë për mësimdhënësit që marrin vlerësime të mira.
“Inspektorët profesionalë të lëndës do t’i vizitojnë nga afër dhe do të shohin se a kanë arritur ata njohuri të mjaftueshme për të marrë gradë të re dhe nëse marrin gradë të re, MAShTI-i është angazhuar dhe besoj se kështu do të ndodhë, që me ligjin e ri të pagave të vihet një shtesë në pagë për ata që gradohen”, ka thënë Jasharaj.
“Vlerësimi i performancës duhet të kontekstualizohet sipas nevojave të Kosovës”
Egzon Gashi, themelues i organizatës arsimore “Teach For Kosova”, e ka përmendur një gabim që sipas tij është bërë gjatë 15 viteve të fundit nga Ministria e Arsimit, në lidhje me tentimin për vlerësimin apo zhvillimin e performancës së mësimdhënies në Kosovë.
Sipas tij, në Kosovë është tentuar që të zbatohen instrumente të shteteve të tjera, pa i përshtatur me kontekstin apo me nevojat që i ka Kosova, respektivisht sektori i arsimit.
Gashi, i cili ka studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), tregoi se është duke punuar për ta krijuar një instrument, i cili pastaj do të mund të përdorej nga drejtorët e shkollave për t’i vlerësuar performancat e mësimdhënësve.
Sipas tij, Kosova duhet të marrë shembuj nga vendet perëndimore apo ShBA-ja, por së pari duhet të përshtatet me kontekstin dhe rrethanat e arsimit që mbizotërojnë në vendin tonë.
“Po mendojmë bashkë me Universitetin ta krijojmë një instrument të ri i cili mund të përdoret prej drejtorëve apo kushdo që do ta bëjë vlerësimin e performancës, dhe të jetë i kontekstualizuar me nevojat e Kosovës dhe të përshtatet me sistemin tonë arsimor, d.m.th. është shumë e rëndësishme të kemi shembuj të ndryshëm të vendeve, por nëse nuk përshtatet me kontekstin e Kosovës, është shumë vështirë të ketë sukses”, ka deklaruar Gashi.
Ai është shprehur se vlerësimi i performancës së mësimdhënësve nuk mjafton të bëhet një herë në vit, por sipas tij, kjo duhet të bëhet pesë herë në vit, varësisht nga nevojat.
Drejtorët e përzgjedhur në mënyrë politike
Sipas themeluesit të “Teach For Kosova”, është shqetësuese mënyra apo ndikimi politik në përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave. Gashi ka theksuar se kjo është një nga të metat e arsimit në Kosovë. Sipas tij, drejtorët nuk duhet të jenë politikë, sepse pastaj “aty mund të hyjnë edhe interesa të tjera në arsim”.
Gashi ka theksuar nevojën e shtimit të llogaridhënies dhe përgjegjësisë së drejtorëve të shkollave, në këtë mënyrë sipas tij edhe vlerësimi i performancës për mësimdhënësit do të jetë më cilësor.
Ai ka thënë se në 10 vitet e fundit janë vlerësuar vetëm 700 mësimdhënës.