Zyrtarja e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, e ka vlerësuar si të rrezikshëm për Kosovën formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Schneeberger ka thënë se tanimë nuk ka të ardhme për këtë Asociacion dhe se vet serbët e veriut nuk janë të interesuar për krijimin e tij.
“Mendoj se Asociacioni është i rrezikshëm. Është mjet i Vuçiqit për të kontrolluar serbët në veri të vendit. Dhe sipas informatave që posedojmë nuk ka të ardhme për këtë Asociacion”, ka thënë ajo për RTK.
Ajo ka thënë se përparësi do të ishte anëtarësimi i të gjitha këtyre komunave në Asociacionin e Komunave të Kosovës.
“Serbët në veri me të cilët kam biseduar, nuk janë të interesuar për Asociacionin, ata duan punë, shërbime shëndetësore, edukim dhe të mos jetojnë nën presionin e Serbisë. Përshtypja ime është se popullata lokale nuk ka interes më që të angazhohet për një Asociacion të komunave serbe”, ka thënë tutje Schneeberger.