Pasditën e së mërkurës, kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se nuk është e sigurtë nëse do të zhvillohet samiti i Ballkanit Perëndimor me BE-në, i cili është i paraparë të enjten e 23 qershorit në Bruksel.
Scholz ka thënë se shpresat e tij janë që të mbahet samiti.
“Sipas informatave tona, nuk është e sigurt që do të mbahet. Dhe që të jem i sinqertë, kjo nuk më çudit. Sepse kur ngjall shpresa, kur i ke futur këto vende në një rrugë dhe kur i bind se ia vlen që të ecin në rrugën drejt BE-së, dhe ata i bëjnë të gjitha përpjekjet, rrezikojnë konflikte politike brenda vendit, madje, një vend, Maqedonia e Veriut, ndryshon edhe emrin që të mos jetë në grindje me Greqinë, atëherë është konsekuente që vendimmarrësit dhe qytetaret dhe qytetarët e tyre ta shprehin pakënaqësinë që kanë,” ka thënë Scholz.
Sipas tij samiti nëse mbahet nuk do të jetë i lehtë, por për Gjermaninë është e rëndësishme që të pozicionohet, sepse Gjermania është në anën e tyre.
Heqja e parimit të unanimitetit
Më parë kancelari socialdemokrat ishte shprehur për heqjen e parimit të unanimitetit në politikën e jashtme dhe kishte thënë se, sikurse Ukraina dhe Moldavia, që do të marrin një përgjigje të fortë ndaj kërkesës së tyre për status kandidati, edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, meritojnë një përgjigje të qartë. “Kjo është arsyeja pse ishte e rëndësishme për mua të vizitoja rajonin përpara udhëtimit tim në Ukrainë”, theksoi kancelari gjerman, transmeton Deutsche Ëelle.
Politikani socialdemokrat përshkroi me ton dhe fjalë emocionale, të pazakonta për të, gjendjen në të cilën ndodhet Ballkani Perëndimor sot, duke sjellë para deputetëve një mbresë që kishte marrë nga takimi i tij i fundit me liderët e Ballkanit në Selanik.
“Kanë kaluar gati 20 vjet që kur në Selanik BE-ja u ofroi këtyre vendeve perspektivën e anëtarësimit. Unë isha atje para disa ditësh. Dhe të gjithë ma kujtuan këtë, se si u vendos. Atëherë në Selanik të gjithë mendonin se do të ishin anëtarë të BE-së pas pesë ose tetë vjetësh. Dhe kjo nuk është realizuar deri më sot”, ka thënë kancelari, raporton DeutscheWelle.
Më tej kancelari ka shtuar se, ka ardhur koha që ne e duam dhe na duhet Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ky ishte mesazhi I tij në udhëtimin në rajon. Dhe ky sipas tij do të jetë gjithashtu mesazhi që duhet të vijë nga takimi i nesërm i BE-së me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Edi Rama konfirmon pjesëmarrjen
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një postimi në Twitter ka paralajmëruar se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë çfarë të kërkojnë në Bruksel, nëse Bullgaria do të vijonte të bllokonte hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, me anë të një postimi në Twitter, kryeministri të mërkurën ishte shprehur se vendet e Ballkanit Perëndimor do të shkojnë në Bruksel.
“Ne do të marrim pjesë në mbledhjen e Këshillit të BE-së. Nuk do të ketë shumë për të dëgjuar për ne, por ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Evropian që ne mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çon përpara frymën e Evropës dhe për pengmarrjen tonë nga Bullgaria që shkatërron atë,” ka shkruar Rama.
We’ll attend the EU Council meeting. There won’t be much to hear about us but we’ll ask to be heard on the idea of a New European Political Community which we support,on the Open Balkan which takes forward the spirit of Europe & on our kidnapping from Bulgaria which destroys it.
— Edi Rama (@ediramaal) June 22, 2022