Të enjten, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, në margjinat e Komunitetit Politik Evropian ka thënë se të gjithë liderët pjesëmarrës në këtë samit e shohin pushtimin rus të Ukrainës si veprim të papranueshëm.
“Ata që po takohen këtu e dinë se sulmi rus ndaj Ukrainës është shkelje brutale e rendit të sigurisë dhe paqes që kemi pasur në Evropë në dekadat e fundit”, ka thënë ai, raporton REL.
Ndër të tjera, ai ka thënë se është e rëndësishme që sulmi ndaj Ukrainës të mos pranohet.
“Është e rëndësishme që ky sulm të mos pranohet, ne nuk pranojmë që pjesë të fqinjit tonë të aneksohen”, shtoi ai.
Megjithatë, Scholz ka thënë se duhet pasur kujdes që forumi i Bashkësisë Politike Evropiane të mos shndërrohet në një institucion të ri ndërkombëtar.
“Nuk ka të bëjë me krijimin e një institucioni të ri që ka administratë dhe burokraci”, ka thënë lideri gjerman dhe ka shtuar se takimi të krerëve të shteteve në Pragë duhet të shërbejë “për të biseduar me njëri-tjetrin në mënyrë shumë konkrete”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, do t’i drejtohet samitit përmes një lidhjeje direkte me video ndërkaq në Pragë po merr pjesë kryeministri ukrainas, Denis Shmyhal.
“Evropa po përballet me krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore, por me unitet do ta zgjidhim këtë”, ka thënë kryeministrja e Britanisë së Madhe, Liz Truss.
Ajo është shprehur se do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën “për ta fituar këtë luftë”.
Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të zhvillojë takim trilateral të enjten e gjashtë tetorit në Pragë të Çekisë.
Osmani do të takohet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron, kanë bërë të ditur burimet për Portalin Dukagjini.
Liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe liderët e 17 vendeve të tjera evropiane do të takohen në Pragë të Çekisë për të diskutuar për luftën në Ukrainë dhe për implikimet e saj në fusha të ndryshme të politikave.
Ky takim, po ashtu, është për të lansuar Bashkësinë Politike Evropiane, një ide që fillimisht është promovuar në maj nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Ndërsa një ditë më pas, më 7 tetor, kryeqyteti çek do të jetë nikoqir i një samiti joformal të Bashkimit Evropian që gjithashtu do të mbahet në Kështjellën e Pragës.
Liderët nga 27 shtetet anëtare do të bisedojnë për sanksionet e Rusisë, për krizën energjetike, teksa kontinenti pritet të përballet me një dimër të vështirë.
Me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe kryeministrit të Çekisë, Petr Fiala, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Pragë ku do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë evropianë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave të përbashkëta.
Para liderëve evropianë, e para e vendit do ta përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Kosovës për integrimin euroatlantik të Kosovës si garanci për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë.
Gjatë takimeve bilaterale, Osmani do të diskutojë edhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Ky takim vjen pesë muaj pasi komuniteti u ngrit fillimisht nga presidenti francez, Emmanuel Macron, si një përgjigje ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë dhe rishikimit të plotë gjeopolitik që ajo shkaktoi në kryeqytetet evropiane.