Kancelari gjerman, Olaf Scholz, u ka kërkuar partive kryesore që të përjashtojnë ekstremistët e djathtë, pas rezultateve preliminare që tregojnë një fitore të madhe të Alternativës për Gjermaninë (AfD).
Siç raporton “The Guardian”, AfD-ja ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në zgjedhjet shtetërore, duke e dominuar Turinginë me 32.8% të votave dhe duke u renditur e dyta në Saksoni me 30.6% të votave.
Scholz ka shprehur shqetësimin e tij për këto rezultate, duke i cilësuar si “të hidhura” dhe “shqetësuese”.
Ai ka theksuar “vendi nuk mund dhe nuk duhet të mësohet me këtë. AfD-ja po e dëmton Gjermaninë, po e dobëson ekonominë, po e ndan shoqërinë dhe po e shkatërron reputacionin e vendit tonë”.
Nga ana tjetër, bashkëdrejtuesja e AfD-së, Alice Weidel, e ka cilësuar këtë rezultat si një “sukses historik” për partinë e saj, duke theksuar se kjo është hera e parë që AfD-ja arrin të bëhet forca më e fortë në zgjedhjet shtetërore.
Rezultatet në Saksoni dhe në Turingi janë konsideruar “katastrofike për qeverinë federale të Scholzit”, duke nxjerrë në pah tensionet e mëdha në politikën gjermane.
Partia e ekstremit të djathtë fiton për herë të parë në zgjedhjet rajonale gjermane