Scholz kërkon që vendet e Ballkanit të pranohen në BE sa më shpejt

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i ka përsëritur thirrjet për pranimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian

Olaf Scholz

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i ka përsëritur thirrjet për pranimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) sa më shpejt që të jetë e mundur.

Duke folur në samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë të hënën, Scholz tha: “Është shumë e qartë se 20 vjet pasi këtyre vendeve iu premtua pranimi, kjo duhet të ndodhë shumë shpejt”.

Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane prej vitit 2003, në një samit në Selanik. Nga ajo kohë, vetëm Kroacia nga vendet e rajonit është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.

Negociatat për anëtarësim ka vite që i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të vitit 2022 i kanë nisur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Bosnjë e Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi(MSA) me BE-në.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha gjatë samitit në Tiranë se Ballkani Perëndimor nuk duhet të jetojë me “frikën e një konflikti nesër”, duke shtuar se Serbia “po vazhdon ta kërcënojë me pushtim” Kosovën.

“Edhe njëzet e pesë vjet pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”, tha Kurti duke iu referuar sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës dhe grumbullimit të trupave serbe në afërsi të kufirit kosovar më vonë.

Ai tha se në vend se të jetojnë me frikën e konfliktit, qytetarët në Ballkanin Perëndimor “sot duhet të punojnë për një të ardhme së bashku. Ne, si udhëheqës të tyre, kemi përgjegjësinë për të ndërtuar atë të ardhme të përbashkët. Dhe si udhëheqës, ne duhet të përfshihemi në atë proces me mirëbesim.”

Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, Kurti tha në takim me liderët e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në kryeqytetin e Shqipërisë se “ne e mbështesim ‘planin me katër hapa’ të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor nga Presidentja e Komisionit Evropian. BE-ja mund të reformohet dhe të zgjerohet. Unë gjithashtu besoj se përfitimet e Tregut Unik të BE-së duhet të lidhen me reformat ekonomike dhe demokratike. Nuk duhet të ketë përfitime të BE-së dhe as fonde të BE-së, pa vlerat të BE-së.”

Gjatë samitit të Procesit të Berlinit në të cilin, përveç prezantimit të një pakoje të re të investimeve nga Bashkimi Evropian, po diskutohet edhe për sulmin në veri të Kosovës më 24 shtator.

“Plani i ri i rritjes” është një paketë e gjerë investimesh e Bashkimit Evropian, që pritej të shpalosej gjatë punimeve të samitit.

“Ky plan ka potencial nëse vihet në zbatim siç duhet, ka mundësinë të dyfishojë madhësinë e ekonomisë tuaj brenda këtij 10-vjeçari. Parimi është që në disa fusha të caktuara ju do të keni qasje në tregun e përbashkët të BE-së, por për këtë janë të nevojshme reformat dhe reformat do të shoqërohen me investime. Kështu hapet dera për tregun tonë, për tregun e përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor. Natyrisht kjo do të shoqërohet me investime financiare por natyrisht reformat do të jenë të domosdoshme”, deklaroi më 15 tetor presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, nuk pranoi të merrte pjesë në fotografinë familjare me liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, në prapavijën e së cilës në mesin e flamujve të vendeve pjesëmarrëse të Procesit të Berlinit ishte edhe ai i Kosovës./REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika