Kancelari gjerman, Olaf Scholz, bën thirrje për ndihmë të mëtejshme nga SHBA-ja dhe Evropa për Ukrainën në një përpjekje për të dërguar një sinjal të qartë ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij në Uashington.
Scholz, para se të nisej për Shtetet e Bashkuara, ka theksuar se është koha për t’i dhënë një mesazh të fortë se Perëndimi është i përkushtuar në mbrojtjen e Ukrainës.
Scholz pritet të takohet me anëtarët e Kongresit gjatë vizitës së tij dhe presidentin Joe Biden të premten.
Vizita e tij vjen pasi ndihma për Ukrainën nga SHBA-ja mbeti e varur nga Senati për shkak se republikanët bllokuan ndihmën financiare.
Në këtë kontekst, ndërsa është parë blloku i ndihmës në Senat, kancelari gjerman do të bëjë thirrje për bashkëpunim dhe solidaritet ndërkombëtar për të siguruar mbështetjen e nevojshme për Ukrainën në kohën e vështirë të saj.
Në një deklaratë për gazetarët para largimit të tij, kancelari gjerman nuk përmendi direkt bllokimin e ndihmës për Ukrainën në Senat, por theksoi rëndësinë e vazhdueshme të mbështetjes për Kiev.
“Ajo që është zotuar deri më tani në Evropë dhe ajo që është zotuar me vendimet e Kongresit Amerikan nuk është ende e mjaftueshme”, ka thënë ai. “Pra, ne duhet të arrijmë një mënyrë që të gjithë së bashku të bëjmë më shumë”, ka shtuar ai, raporton AP.
Ai ka thënë se çështja kryesore tani është se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara mund të intensifikojnë mbështetjen e tyre për Ukrainën.
Gjermania ka ndërmarrë një angazhim të fuqishëm për të ndihmuar Ukrainën, planifikuar të investojë mbi 7 miliardë euro (7.5 miliardë dollarë) këtë vit në dërgesat e armëve dhe asistence të tjera.
Pavarësisht krizës së brendshme buxhetore, Gjermania ka ofruar sisteme të mbrojtjes ajrore, tanke dhe transportues të blinduar për personelin, duke u bërë furnizuesi i dytë më i madh për Ukrainën, menjëherë pas SHBA-së.
Ndërkohë, nënshkrimi i një marrëveshjeje nga udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian, e cila përfshin edhe Gjermaninë si anëtarin më të madh, ka siguruar një mbështetje prej 50 miliardë eurosh për ekonominë ukrainase.