Kancelari gjerman, Olaf Scholz, po përgatitet për samitin e Procesit të Berlinit, i cili pritet të zhvillohet në muajin gusht, transmeton Deutsche Welle.
Ndryshe nga ish-kancelarja Merkel, kancelari Scholz është pro zgjidhjeve konkrete.
Kosova është destinacioni i parë i vizitës së Scholzit në rajon, ndërsa pasditen e së premtes, ai do të udhëtojë drejt Beogradit. Ai, gjithashtu, do ta vizitojë edhe Maqedonin e Veriut, Greqinë, dhe Bullgarinë.
Fokusi i këtij turneu pritet që të jetë situata aktuale politike në Evropë e shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë, si dhe dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Në deklaratën e zyrës së kancelarit, shkruhet se, temat kryesore të Scholz në Ballkanin Perëndimor do të jenë perspektivat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe kontributi i Gjermanisë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe tejkalimin e bllokadave dypalëshe.
Edhe para se të konfirmohej zyrtarisht vizita e Scholz-it, gazetari i Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, ka deklaruar në Twitter se, duke iu referuar burimeve të sigurta nga Berlini, temat do të jenë “energjia, ekonomia, qëndrimi i Serbisë ndaj Rusisë”.