“Gjermania dëshiron të mirëpresë vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Kështu ka thënë të martën kancelari gjerman, Olaf Scholz.
“Shqipëria po bën përparim të mirë drejt anëtarësimit në BE”, kështu ka thënë Scholz në një konferencë për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Marrëdhëniet dypalëshe midis Gjermanisë dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera”, u tha kancelari gjerman gazetarëve, duke shtuar se qeveria e tij do të mbetet një “partner i besueshëm” në përpjekjen e Tiranës për t’u bashkuar me BE-në, shkruan REL.
Vendet e rajonit ndodhen në faza të ndryshme në procesin e zgjerimit.
Mali i Zi ka avancuar më së shumti dhe i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave.
Serbia pason si shtet që është në procesin e negociatave, por vitin e kaluar nuk ka hapur asnjë kapitull të ri.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut sapo i kanë nisur negociatat.
Bosnje e Hercegovina ka aplikuar për anëtarësim në BE, dhe ka marrë mendim pozitiv nga Komisioni Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat.
Kosova ka aplikuar dhjetor të vitit të kaluar për anëtarësim në BE. Deri më tani, Kosova ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, që u nënshkrua në Strasburg, më 17 tetor të vitit 2015.