25 persona janë angazhuar nga Ministria e Drejtësisë, për të bërë analizimin e gjendjes së Qendrave për Punë Sociale.
Në vendimin e MD-së, thuhet se grupi punues do të analizojë këto qendra lidhur me sfidat në aspektin ligjor, institucional dhe funksional.
Ditë më parë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi se tashmë qendrat për punë sociale, kanë kaluar në përgjegjësinë e Ministrisë së Drejtësisë, dhe se synojnë reformimin e tyre.
Abaz Xhigoli, drejtor i QPS-së në Fushë-Kosovë, thotë se ende nuk e kanë të qartë, se cilat përgjegjësi kanë kaluar në MD, derisa tregon se si kanë funksionuar deri më tash.
Abaz Xhigolli nga Qendra për Punë Sociale në Fushë Kosovë, ka thënë se “Decentralizimi që ka ndodhur në vitin 2009, ka qenë që shërbimet sociale, ofrohen nga komunat çështja e logjistikës, resurset e stafit dhe standardet strukturale, përderisa inspektimin e punës për shërbimet sociale ka qenë nën mandatin, e ministrisë punës, departamentit të politikave sociale, tani në 3 vitet e fundit, që u shua ministria e punës, kaloi në Ministrinë e Transfereve, dhe tani janë sinjalet e para që ky shërbim social, do kaloj në MD”.
Megjithatë, ai shpreson se do ndryshojë qasja e institucioneve, karshi këtyre qendrave, duke u ndihmuar edhe në shtim të kapaciteteve pasi sipas tij, shtimi i rasteve që ata i trajtojnë, u ka shkaktuar telashe.
Të njëjtat shpresa i ka edhe drejtoresha e qendrës për punë sociale, në Lipjan.
Makfirete Shamolli nga Qendra për Punë Sociale në Lipjan, ka thënë se “Çdo ndryshim sjell edhe risi, ne kemi pritje pozitive, unë prap e konsideroj, që kjo është pjesë e opinionit, që duhet ta japin nivelet e politikës qeveritare, sepse ndryshimi ka ndodhur në nivelin qeveritar, së qendrat janë institucione publike, profesionale të nivelit komunal, normalisht që në aspektin e politikave të raportimit, konsideroj që është një ndryshim edhe qasja ndoshta do merr kohë për analizimin të vështirësive dhe sfidave”.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thonë se fillimisht është dashur të behet një analizë e mirëfilltë, pastaj të merret vendim për kalimin e këtyre qendrave nën ombrellën e MD-së.
Arrita Rezniqi nga IKD-ja ka thënë se “Në momentin që do të ketë një analizë konkrete apo një vendim, do të kemi mundësi të e analizojmë dhe të shohim, nëse do të ruhet pavarësia e qendrave, dhe të njëjtën kohë nëse do të ketë efekt, në adresimin e problematikave dhe sfidave që kanë qendrat për punë sociale në Kosovë”.
Në lidhje me marrjen e përgjegjësive dhe se për cilat çështje do jetë përgjegjëse MD-ja, nuk kanë kthyer përgjigje nga ky institucion, gjatë ditës. Qendrat për punë sociale sipas ligjit, kanë për detyrë, ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare për personat në nevojë dhe familjet që janë në nevojë në Kosovë, megjithatë ato shpesh kanë qenë cak i kritikave që nuk po e kryejnë punën siç duhet, veçanërisht për rastet e dhunës ndaj grave.