Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me një minut heshtje në nderim të të vrarëve gjatë luftës në Kosovë, me rastin e 25 vjetorit të Masakrës së Izbicës në Skenderaj, në familjet Bogujevci, Duriqi e Llugaliu në Podujevë.
“Këto ditë janë ditë të kujtimit dhe dhimbjes sepse pardje dhe dje ishte përvjetori i Masakrës në Krushë të Madhe dhe të Krushë të Vogël, dje ishte përvjetori i masakrës në Dardani të Pejës kurse sot e kemi 25-vjetorin e Masakrës së Izbicës në Skenderaj e po ashtu masakrat në familjet Bogujevci, Duriqi e Llugaliu të Podujevës. Për të gjithë të rënët propozoj të mbajmë një minutë heshtje në këtë datë”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Po ashtu, Konjufca i ka shprehur ngushëllime senatit amerikan dhe familjes Lieberman me rastin e vdekjes së ish-senatorit amerikan, Joseph Lieberman.
“Shpreh ngushëllime senatit amerikan dhe familjes Lieberman për shkak se dje ka ndërruar jetë miku i madh i Kosovës dhe shqiptarëve, senatori amerikan, Lieberman i cili për 34 vjet ishte anëtarë i senatit amerikane dhe një mik i madh i shqiptarëve, interesave tona, i cili në çdo moment në mënyrë të palodhshme e mbrojti kauzën për lirinë e popullit të Kosovës, për Kosovës Republikë të pavarur dhe sovran. Mendimet tona janë me familjen Lieberman dhe senatin amerikan. Do të kujtohet gjithmonë nga populli dhe shoqëria jonë”, tha Konjufca.