Seanca e radhës ndaj Krivaçës e Sejdiut do të mbahet më 11 qershor

Seanca e radhës ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të dënuar nga Themelorja për vrasjen e Marigona Osmanit, do të mbahet më 11 qershor.

Kështu ka njoftuar avokati i ri i Krivaçës, Skender Musa, për Radio Dukagjini.

Në seancën e cila pritet të mbahet më 11 qershor, avokati Musa ka thënë se do të ftohet që të dëshmojë një ekspert i mjekësisë ligjore dhe do të vendoset edhe për ekspertë të psikiatrisë.

Ndryshe, në seancën e rigjykimit të premten, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të akuzuarit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu janë deklaruar të pafajshëm për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit më 2021.

“Jo, nuk e pranoj, nuk e pranoj akuzën e prokurorit”- tha Krivaça lidhur me akuzën e Prokurorisë së Ferizajit e cila u konsiderua si e lexuar nga palët në procedurë.

Mohimin se i ka kryer veprat penale që i vihen në barrë, u deklarua edhe Arbër Sejdiu.

Krivaça më 04.08.2023 është dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë, kurse Sejdiut i ishte rikualifikuar vepra penale nga Gjykata, nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje, në veprën penale ndihmë në vrasjen e rëndë, duke e dënuar me 15 vite me burgim. Por Apeli rastin e kishte kthyer në pikën zero.

Me të përfunduar deklarimi i të pandehurve, gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi procedoi tutje duke kaluar në fjalët përfundimtare të palëve.

Prokurori Valdet Avdiu deklaroi se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë më 26.10.2022.

Avokati i ri i Krivaçës, Skënder Musa, para Gjykatës në fjalën përfundimtare kërkoi që për klientin e tij të urdhërohen për t`u bërë dy ekspertiza.

“Propozimi im i parë është që në pajtim me nenin 508, të Kodit të Procedruës Penale të bëhet ekzaminimi psikiatrik i Dardan Krivaça dhe atë para kryerjes së veprës penale duke përfshirë periudhën që nga klasa e 5 fillore, koha e qëndrimit të tij në paraburgim në qendrën e paraburgimit për të mitur”- tha avokati Musa.

Kërkesa e Musës ishte që në këtë ekspertizë të urdhërohet që të përshkruhet nga ekspertët se nga cila moshë ka filluar përdorimin e lëndëve narkotike klienti i tij, llojin e tyre, pasi që avokati tha se sipas informacioneve që posedojnë, Krivaça kishte filluar konsumimin e kokainës që nga klasa e pestë.

Tutje, avokati kërkoi që përmes ekspertizës psikiatrike të tregohet se çfarë ndikimi te të menduarit e Krivaçës ka pasur përdorimi i narkotikëve.

Propozimi i tij i dytë ishte që të bëhej edhe një ekspertizë e veçantë mjekoligjore e toksikologjisë, për të konstatuar nëse e ndjera Marigona Osmani në natën kritike ka qenë nën ndikimin e substancave narkotike.

“Është e nevojshme që të bëhet edhe ekspertiza e veçantë mjekoligjore e toksikologjisë, nga mostrat e të ndjerës, të cilat mund ta vërtetojnë saktë shkallën e dozimit në substanca narkotike”- tha tutje avokati Musa.

Kurse mbrojtësja e të pandehurit Arbër Sejdiu, avokatja Arbnora Shefkiu ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të cilën e kishte dhënë më 26.10.2022.

Tutje, palët në procedurë u pajtuan që të konsiderohen të lexuara deklaratat e dëshmitarëve që i kanë dhënë në fazat e mëhershme të procedurës penale.

Në gusht të vitit të shkuar, Krivaça ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Osmanit, ndërsa Sejdiu me 15 vjet për ndihmë në vrasjen e rëndë.

Në aktvendimin e Apelit bëhej e ditur se është aprovuar ankesa e mbrojtësve të të akuzuarve.

Me këtë rast, është anuluar aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Ferizajt.

Krivaça dhe Sejdiu do të mbeten në paraburgim deri në vendimin tjetër të gjykatës së shkallës së parë. Apeli ka vlerësuar se dispozitivi i shkallës së parë është i paqartë, i pakuptueshëm dhe jo në harmoni me dispozitat ligjore.

18-vjeçarja Marigona Osmani ishte vrarë në gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaça.

Në aktgjykim e Themelores qe theksuar se Krivaça, më 21 e 22 gusht të dy vjetëve më parë, për motive të xhelozisë e me vetëdije, ka ushtruar dhunë ekstreme ndaj së ndjerës Osmani, me të cilën po bashkëjetonte në banesën e tij.

Dhe se për dy ditë radhazi, ai me një shkop druri e kishte goditur viktimën vazhdimisht në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike e psikike, të cilat është konstatuar se ia kanë shkaktuar vdekjen.

Dy të akuzuarit qenë liruar nga akuza për dhunim, pasi gjykata nuk ka arritur që ta konstatojë dhunimin me asnjë provë.

Familjarët e viktimës ishin ankuar se dënimi i Sejdiut ishte i ulët.

Rasti pati tronditur opinionin publik.

Edhe në rigjykim, Krivaqa e Sejdiu deklarohen të pafajshëm për vrasjen e Marigona Osmanit

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika