Familjarët e Liridona Ademajt, tashmë janë mbledhur para objektit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku pritet të nisë seanca ndaj Naim Murselit i cili dyshohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij, dhe dy të dyshuarve të tjerë.
Në fotografitë e siguruara nga ekipi i RTV Dukagjinit, i cili po qëndron pranë gjykatës për ta përcjellë nga afër seancën, shihet se një nga familjarët është vëllai i Liridona Ademajt.
Liridona Ademaj, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.
Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave: dorasin G.P dhe N.M, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.
Mediat lokale në Kosovë e kanë identifikuar bashkëshortin si Naim Murseli.
Pak orë më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se në mesin e të arrestuarve për këtë rast, si i dyshuar, është edhe K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Betimi për Drejtësi – medium i specializuar në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë – ka raportuar, bazuar në burime se, i dyshuari Naim Murseli e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen për bashkëshorten e tij.
“Burime të ‘Betimi për Drejtësi’ bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës”, është thënë në raportimin e këtij mediumi.
Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.
Policia e Kosovës ka thënë se ka kryer bastisje në Gjakovë dhe ka arritur të sekuestrojë armën, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.
Rasti i vrasjes së 30-vjeçares është dënuar rëndë në Kosovë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur vrasjen si “krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar”.
“Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale”, ka thënë ajo përmes një postimi në Facebook.
“Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka kërkuar që rasti të trajtohet me urgjencë.
Mllef, posaçërisht, ka nxitur fakti se Naim Murseli është parë duke marrë pjesë në varrimin e bashkëshortes.
Mediat lokale në Kosovë kanë raportuar se familjarë të Liridonës, synojnë ta zhvarrosin trupin e së ndjerës nga Gjakova, ku është varrosur, pas dyshimeve se bashkëshorti ka dorë në vrasjen e saj.
Në reagime e sipër në rrjete sociale, disa kanë kërkuar që Liridona të njihet me mbiemrin e vajzërisë, Ademaj, dhe jo Murseli, të familjes së burrit.
Disa janë shprehur të alarmuar me dhunën kundër grave, disa i kanë vënë fajin mendësisë patriarkale për raportimet sistematike për dhunë, dhe kanë kërkuar më shumë siguri për gratë.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka thirrur protestë në Prishtinë për të martën, 5 dhjetor.
Organizata ka thënë se synon mobilizim për protestë kundër dhunës me bazë gjinore dhe femicidit.
Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Gratë, UN Ëomen, femicidi përkufizohet si vrasje e qëllimshme që lidhet me gjininë, që mund të jetë e nxitur nga rolet e stereotipizuara gjinore, diskriminimi ndaj grave dhe vajzave, raportet e pabarabarta të pushtetit midis grave dhe burrave, apo normave të dëmshme shoqërore.