Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK)në Hagë, ka nisur seanca e së hënës, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Trupi gjykues, me të filluar seanca, sqaroi se janë të shqetësuar me rrjedhën kohore të procesit gjyqësor.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith III, me të filluar seanca, lëshoi tre urdhra gojorë, ku urdhri i parë gojor kishte të bënte me shkurtimin e kohës për marrjen në pyetje të dëshmitarëve nga ana e Prokurorisë dhe mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatës Smith III tha se trupi gjykues është i shqetësuar me ecurinë e kohore të këtij procesi gjyqësor penale, duke i kërkuar palëve në procedurë që pyetjet karshi dëshmitarëve t’i shkurtojnë më arsyetimin se tashmë deklaratat e secilit dëshmitar i ka Gjykata.
Po ashtu, gjykatësi luti prokurorin që për hir të të akuzuarve që ndaj tyre të zhvillohet procesi gjyqësor në kohë të arsyeshme, kërkoi që pyetjet t’i rishikojnë, ndërkaq mbrojtës i dha afat që deri në ditë e nesërme të bëjë rishikimin e kohës për marrje në pyetje të dëshmitarëve.
Seanca vijoi me urdhrin e dytë gojor, përmes të cilit, për mbrojtjen e Thaçit, Veselit dhe Krasniqi u zgjat afati për apelimin e dy vendimeve gjyqësore deri më 26 qershor të këtij viti.
Kurse në urdhrin e tretë gojor, me kërkesë të gjykatësit Smith III, seanca kaloi në sesion privat.
Ndërkaq, pas shqiptimit të tre urdhrave gojorë, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmisë së dëshmitarit të dhjetë me numrin (03540).
Në sallën e gjykimet fizikisht u paraqitën i akuzuari Thaçi, Veseli dhe Selimi, ndërkaq përmes video-lidhjes i akuzuari Krasniqi.
Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi