Sekretari Rubio shkon në Arabinë Saudite, për bisedime me zyrtarët ukrainas

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbërrin në Xhedah të Arabisë Saudite, të hënën për bisedimet SHBA-Ukrainë, ndërsa Presidenti Donald Trump po bën përpjekje për të ndërmjetësuar një fund të shpejtë të luftës Rusi-Ukrainë.

Në Xhedah, Rubio do të takohet gjithashtu me princin saudit të kurorës Mohammed bin Salman Al Saud për të diskutuar mbi rrugët mënyrat për të avancuar interesat e përbashkëta në rajon dhe për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.

Sipas Departamentit të Shtetit, Sekretari Rubio “nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur dhe theksoi se të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të siguruar një paqe të qëndrueshme” në një telefonatë të premten me ministrin e Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha.

Të hënën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të vizitojë Arabinë Saudite për një takim me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman.

Më pas, një delegacion diplomatik dhe ushtarak ukrainas i kryesuar nga shefi i shtabit të zotit Zelenskyy, Andriy Yermak, do të qëndrojë në Arabinë Saudite për bisedime me zyrtarët amerikanë.

Ekipi ukrainas do të përfshijë gjithashtu kryediplomatin Sybiha, Ministrin e Mbrojtjes Rustem Umerov dhe komandantin ushtarak Pavlo Palisa.

Në delegacionin amerikan që shkon në Xhedah për bisedime me zyrtarët ukrainas, përveç zotit Rubio do të jenë edhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Mike Waltz dhe i dërguari i posaçëm i Presidentit Trump, Steve Witkoff.

Zoti Witkoff u ka thënë gazetarëve se “ideja është të arrihet një kornizë për një marrëveshje paqeje si edhe për një armëpushim fillestar.”

Bisedimet SHBA-Ukrainë do të zhvillohen tre javë pasi zyrtarë të lartë amerikanë mbajtën bisedime me zyrtarë rusë në Riad.

Ukraina tha se është “plotësisht e përkushtuar” ndaj dialogut konstruktiv me SHBA-në dhe shpreson të “diskutojë dhe të bjerë dakord mbi vendimet dhe hapat e nevojshëm”.

“Ukraina ka dashur paqen që në sekondën e parë të kësaj lufte. Propozimet realiste janë në tryezë. Çelësi është të lëvizim shpejt dhe me efektivitet,” tha zoti Zelenskiy në rrjetin e mediave sociale X të shtunën.

Takimi i Ministrave të Jashtëm të G7

Pas vizitës së tij në Arabinë Saudite, zoti Rubio do të udhëtojë për në Charlevoix të Kanadasë, për takimin e ministrave të jashtëm të Grupit të Shtatëshes (G7) nga 12 deri më 14 mars.

Në një deklaratë të përbashkët pas bisedimeve në Mynih gjatë Konferencës së Sigurisë në shkurt, ministrat e jashtëm të G7-ës theksuan angazhimin e tyre për të ndihmuar në “arritjen e një paqeje të qëndrueshme” dhe “riafirmuan nevojën për të zhvilluar garanci të fuqishme të sigurisë” për Ukrainën.

“Çdo sanksion i ri pas shkurtit duhet të lidhet me faktin nëse Federata Ruse hyn në përpjekje reale dhe me mirëbesim për t’i dhënë një fund të qëndrueshëm luftës kundër Ukrainës”, shtohet në deklaratën e përbashkët./VOA

Shija e redaktorit

Laura Fazliu stoliset me medalje të bronztë në Linz Grand...

Xhudistja kosovare, Laura Fazliu, ka fituar medaljen e bronztë në Grand Prix Upper, që po mbahet në Austri. Medalistja olimpike shënoi tri fitore në...

ShSKUK: Mbi 17 mijë lindje u kryen gjatë vitit 2024

Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka bërë të ditur se gjatë vitit 2024 janë kryer 17 mijë e 495 lindje në...

Përurohet investimi i Dukagjinit në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në...

Fëmijët e nivelit parashkollor në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, kishin festë vetëm një ditë para ditës së mësimdhënësve të tyre. Atyre, iu është...

Të fundit nga rubrika