Sekretariati i Komunitetit të Energjisë me seli në Vjenë i ka dërguar një letër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë, ku ka theksuar rëndësinë e pavarësisë së autoritetit rregullator dhe procesit të vendimmarrjes për tarifat e energjisë elektrike.
Në reagimin e Sekretariatit, lidhur me paralajmërimet e ZRRE-së për një rritje prej 15% të tarifave të rrymës dhe për nisjen e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë, theksohet se institucionet shtetërore duhet të sigurojnë që vendimet të mbeten të bazuara në prova dhe pa ndikime të padrejta.
“Hapja e tregut me pakicë dhe reflektimi i kostove në tarifat e energjisë janë elemente thelbësore të legjislacionit të Komunitetit të Energjisë, siç përcaktohet në Direktivën e Energjisë Elektrike dhe rregulloren përkatëse. Hapat e ndërmarrë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në këtë drejtim janë të domosdoshëm jo vetëm për të ruajtur qëndrueshmërinë financiare të sektorit të energjisë, por edhe për të siguruar qëndrueshmëri afatgjatë të energjisë, në përputhje me legjislacionin e Komunitetit të Energjisë, veçanërisht”, thuhet në letër.
Sekretariati vë në pah se rritja e tarifave dhe hapja e tregut duhet të bëhen në përputhje me parimet e transparencës, drejtësisë dhe mbrojtjes së konsumatorëve, veçanërisht të familjeve në nevojë. Sipas letrës, kërkohet zbatimi i mekanizmave mbështetës për ata që rrezikojnë varfërinë energjetike dhe masa për të parandaluar shkëputjen e energjisë për konsumatorët me vështirësi ekonomike.
Po ashtu, Komuniteti i Energjisë kërkon nga institucionet që të garantojë të drejtën e palëve të prekura për të apeluar vendimet e ZRRE-së përmes një organi të pavarur kombëtar dhe përmes mekanizmave të konsultimit publik.
Në përmbyllje të letrës, Sekretariati bën thirrje që të gjitha palët e interesuara të angazhohen në një dialog konstruktiv me ZRRE-në, në përputhje me legjislacionin evropian dhe parimet e qeverisjes së mirë të tregjeve të energjisë.
“Neni 60 i Direktivës së Energjisë Elektrike (Vendimet dhe ankesat) kërkon që Kosova të sigurojë që palët e prekura të mund të apelojnë vendimet rregullatore në një organ të pavarur kombëtar. Për më tepër, ligji i Kosovës u mundëson palëve të interesuara të shprehin shqetësimet e tyre përmes kanaleve ligjore, siç janë konsultimet publike ose përfshirja e palëve të interesuara. Prandaj, Sekretariati inkurajon të gjitha palët e interesuara të angazhohen në një dialog konstruktiv me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, në përputhje me legjislacionin evropian të zbatueshëm”, thuhet në letër.