Një automjet me targa vendore është ndaluar nga autoritetet të mërkurën, i drejtuar nga personi i dyshuar S.Z., 47 vjeçar nga Vitia.
Pas kontrollit të automjetit, policia dhe dogana e Kosovës kanë zbuluar se kishte në ngarkesë 50 shtega (500 pako) cigare të llojit FAST dhe rreth 300 kilogram duhan të grirë refuz, me dyshime se ishin kontrabanduar nga Maqedonia Veriore përmes rrugëve malore në fshatin Lubishtë të Vitisë.
“Më datë 24.04.2024, në rajonin e Vitisë, nga njësitet e lartcekura është ndaluar automjeti me targa vendore, drejtuar nga i dyshuari S.Z., i moshës 47 vjeçar nga Vitia. Gjatë kontrollit të automjetit është vërejtur se kishte të ngarkuar 50 shtega (500 pako) cigare të gatshme për treg të llojit FAST dhe rreth 300 kg duhan të grirë refuz, të cilat dyshohet se i kishte kontrabanduar nga Maqedonia Veriore përmes rrugëve malore ne fshatin Lubishtë të Vitisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë inspektimit të shtëpisë së të dyshuarit, janë sekuestruar edhe 200 kilogram duhan Marlboro i përpunuar.
Sasia totale e duhanit të sekuestruar është 500 kilogram me një vlerë mbi 6.000 euro, ndërsa vlera e shmangieve doganore është mbi 20.000 euro.
Autoritetet kanë vepruar në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe në bazë të urdhrit të prokurorit, i dyshuari është dërguar në qendrën e ndalimit për 48 orë, ndërsa malli i kontrabanduar dhe automjeti janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor-Dheu i Bardhë.