Më datën 7 korrik 2022, Njësitet e Antikontrabandës të Doganës së Kosovës në kuadër të planit operativ, kanë parandaluar katër raste të tentim kontrabandës në regjionin e Mitrovicës.
Njësitet e Doganës kanë identifikuar automjetet e dyshimta të cilat janë ndaluar në orët e mëngjesit. Automjetet transportuese bartnin mallra të kontrabanduara nga Serbia.
Në këto automjete janë gjetur pije joalkoolike, vaj ushqimor si dhe nitrosolvent. Në automjetin e parë janë gjetur 1200 litra pije joalkoolike, 105 litra vaj ushqimor dhe 144 litra tretës/nitrosolvent, ndërsa në automjetin e dytë janë gjetur rreth 1470 litra pije joalkoolike, në automjetin e tretë janë gjetur 2329 litra pije joalkoolike si dhe në automjetin e katërt janë hasur 900 litra tretës/nitrosolvent
Të gjitha automjetet dhe mallrat janë sekuestruar derisa ka filluar procedura kundërvajtëse.
Dogana e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtrojë kontrolla në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, me qëllimin e vetëm, parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.