Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, teksa ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se koalicioni i tyre ka lënë disa pozita kyçe pa zot shtëpie.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Selmanaj ka thënë se “nuk mund pritet më shumë nga një Lëvizje politike anti shtet”.
“Koalicioni Kurti-Osmani, tash e 10 muaj e ka lënë Kosovën pa Kryeprokuror të shtetit, pa pozitën më të rëndësishme në sistemin prokurorial. Po ashtu që 6 muaj e ka lënë Policinë e shtetit, pa Drejtor të përgjithshëm të saj, pa pozitën më të rëndësishme në zinxhirin komandues të institucionit që mban përgjegjësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës”, shkroi ai.
Sipas deputetit Selmanaj, të dy këto dikastere shumë të rëndësishme për luftimin e krimit dhe korrupsionit, tash e sa muaj udhëhiqen me ushtrues detyre.
Siç thekson Selmanaj në njërën anë presidentja “abuzon me afatin e arsyeshëm” për dekretimin apo refuzimin e kandidatit të propozuar për Kryeprokuror. Kurse nga ana tjetër Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla, ende nuk po arrijnë ta gjejnë personin e “përshtatshëm” dhe të “qëndrueshëm” që do i shërbente me lojalitet atyre.