Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka reaguar pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka emëruar këshilltare për Luginën e Preshevës, Medvegjën dhe Bujanocin, Ardita Sinanin.
Për këtë veprim, deputeti i LDK-së është shprehur, “adoleshenca politike dhe logjika primitive e disa politikanëve ballkanas i dërgon të tillët në përfundimet se historia e një vendi fillon me ta dhe nga ta”.
Sipas Selmanjt, Qeveria Hoti para dy vjetësh kishte marrë këtë vendim, ndërsa Kurti po i promovon si ide të reja.
“Më 28 shtator 2020, Qeveria e Kosovës, më qëllim të institucionalizimit të mbështetjes shtetërore për shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc ka votuar në mbledhjen e saj për themelimin e kësaj Zyre”, ka sqaruar ai.
Selmanja ka përfunduar duke treguar se kur ishte miratuar plani i punës për këtë zyre, që sipas tij, ishte miratuar më 13 janar të vitit 2021, nga qeveria Hoti dhe ishin caktuar detyrat konkrete për ministritë e caktuara.
Kjo zyre po shihet si një kundërpërgjigje ndaj Serbisë e cila prej vitesh ka themeluar të ashtuquajturën “Zyra për Kosovën”.