Serbia duhet të ndalojë së penguari Kosovën që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, tha senatori amerikan, Chris Murphy, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ai, së bashku me senatorin Gary Peters, kanë nisur vizitën në Kosovë, që është në kuadër të një turni njëjavor në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Na vjen mirë që po e shohim marrëveshjen e fundit midis Kosovës dhe Serbisë që përfshin njohjen e ndërsjellë të dokumenteve zyrtare, por edhe hapat e vështirë që duhen të ndërmerren nga të dyja palët. Serbia duhet të ndalojë së penguari Kosovën, të drejtën e saj për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare”, tha Murphy, shkruan REL.
Ai iu referua Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve që Kosova dhe Serbia arritën më 27 shkurt në Bruksel, si dhe Aneksit të zbatimit të saj, që u arrit në Ohër më 18 mars.
Presidentja Osmani tha se në takim u ka treguar senatorëve amerikanë të gjitha shkeljet që po i bën Serbia kësaj marrëveshjeje, që përfshin edhe mospengimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në prill, Serbia ka votuar kundër kërkesës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pavarësisht se me Marrëveshjen drejt normalizimit është zotuar se nuk do të paraqesë pengesa të tilla.
Ndërkaq, senatori Peters vlerësoi lart raportet mes Kosovës dhe ShBA-së dhe premtoi vazhdimin e ndihmës dhe bashkëpunimit nga Washingtoni.
Vizita e dy senatorëve në Kosovë vjen disa ditë pasi Komiteti për Punë të Jashtme i Senatit amerikan mbajti një seancë për politikën e Washingtonit në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë senacë u deklaruan këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i Washingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Që të dy kërkuan nga Kosova dhe Serbia ta zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit dhe Kosova të themelojë sa më shpejt Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.