Mijëra serbë të mbledhur për të festuar “Vidovdanin” në Gazimestan të Obiliqit, një festë serbe që festohet më 28 qershor, në kujtim të Betejës së Kosovës të zhvilluar në vitin 1389, pas ceremonisë kanë provokuar duke nxjerrë flamujt serbë dhe rusë.
Teksa këndonin këngë nacionaliste, në mesin e flamujve është parë edhe një i atillë me hartën e Kosovës dhe një mbishkrim ku thuhet se “s’ka dorëzim” duke iu referuar luftës sipas tyre të vazhdueshme për siç thonë ata, “ruajtjen e Kosovës”.
Ceremonia e serbëve për shënimin e Vidovdanit ka përfunduar.
Ndërkaq për sigurinë e tyre dhe respektimin e rendit janë përkujdesur forcat e Policisë së Kosovës.
Policia i ka kontrolluar të gjithë personat që kanë hyrë në oborrin e objektit kulturor.
Disa prej tyre nuk janë lejuar që t’i afrohen vendit në Gazimestan.
Serbët bartnin fanella provokuese, si hartën e Kosovës dhe katër shkronjat “S” dhe për këtë policia e Kosovës u doli përpara dhe i ktheu prapa.
Kjo festë serbe festohet më 28 qershor, në kujtim të Betejës së Kosovës të zhvilluar në vitin 1389.
Kremtimi i kësaj dite ndërlidhet me përvjetorin e Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb, Lazar.
Një person është ndaluar nga policia, për shkak se kishte të veshur një fanellë provokuese në të cilën shihen simbolet e ushtrisë ruse në luftën në Ukrainë.
Simboli i cili shihet në ballinë të një tanku është shkronja “Z”.
E vendosur në tanke, në bluza, e vizatuar në mure ndërtesash e në shumë vende të tjera, shkronja “Z” është shndërruar në simbolin e luftës së Rusisë në Ukrainë, që nisi më 24 shkurt.
Fillimisht, simboli “Z” u pa në tanket që ishin nisur drejt kufirit të Ukrainës, disa ditë para se presidenti rus, Vladimir Putin, të urdhëronte pushtimin e shtetit fqinj.
Ky simbol shpejt u shndërrua në simbol për mbështetjen e luftës së Putinit në Ukrainë.
Serbët mblidhen në Gazimestan për festën e Vidovdanit – policia ruan rendin