Qytetarët serb kanë nisur protestën e tyre në pjesën veriore të Mitrovicës. Edhe pse, nuk ka një vendim të prerë nga shteti i Kosovës që i ndalon zgjedhjet e fqinjit verior në Kosovë, kjo nuk i ka ndalur ata që të mblidhen në sheshin “Car Lazar”, të Mitrovicës veriore, për ta kundërshtuar, sipas tyre, moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës.
Policia e Kosovës, ka vëzhguar nga afër protestën e tyre, por, nuk ka pasur nevojë për ndonjë intervenim për arsye se protesta nuk ka eskaluar.
Shumica e pankartave që i mbanin në duar protesutesit, ishin kundër kryeministrit, Albin Kurti. Njërën nga to, që po e mbanin në duar disa protestues, thoshte “Kurti, ke shkatërruar marrëveshjen e Brukselit, ke shkatërruar gjithçka”.
Një tjetër, akuzonte kryeministrin e Kosovës për tentim dëbimi të serbëve nga Kosova.
“Kurti nuk do të mund të na dëbojë nga Kosova”, thuhej në pankartën tjetër.
Në lidhje me këtë protestë kanë reaguar edhe shtetet e Quint-it. Në një deklaratë të përbashkët ata kanë shprehur shqetësimet e tyre në mundësinë për përshkallëzim të situatës.
Shteti i Serbisë ka kërkuar që të hapen vendvotimet në komunat me shumicë serbe brenda territorit të Kosovës.
Kurse, Qeveria e Kosovës ka thënë se, qytetarët serbë mund të votojnë me postë ose në zyrën ndërlidhëse, por, ky opsion nuk është pranuar nga pala serbe.