Të enjten e 25 gushtit, banorët e Mitrovicës Veriore kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre përmes grafiteve të reja, kësaj here ndaj misionit paqeruajtës të Aleancës Veri-Atlantike(NATO).
Në sheshin “Car Llazar”, afër urës së Ibrit janë parë disa grafite me mbishkrimin, ”NATO shko në shtëpi, këtu është Serbia”.
Këto grafite vijnë pikërisht në ditën kur është mbajtur takimi midis përfaqësuesve të Listës Serbe dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak, në Veri të Kosovës.
Ndërkaq, ditëve të fundit, KFOR-i ka njoftuar se ka shtuar aktivitetet patrulluese në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak që të reagojë shpejt ndaj të gjitha sfidave të sigurisë.
Po ashtu, sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, komandanti i Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Ferenc Kajari, e ka njoftuar kryeministrin Albin Kurti për praninë, angazhimet dhe përgatitjet shtesë të KFOR-it për të garantuar paqe e siguri në veri të Ibrit.
Ndonëse ka mbetur më pak se një javë kohë deri më një shtator, kur Qeveria e Kosovës do të nisë zbatimin e vendimeve për riregjistrim të automjeteve me targa serbe në RKS dhe lëshimin e dokumenteve hyrëse-dalëse për shtetasit serbë, tashmë veçse kanë filluar vizitat ndërkombëtare në Kosovë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje.
Qëllim i tyre është që të bisedojnë me palët për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme, përpara një shtatorit.
Të mërkurën e 24 gushtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Kjo nuk është hera e parë që serbët vendosin grafite në veri.
Edhe në mëngjesin e së enjtes së 18 gushtit, në veri të Mitrovicës, në sheshin “Car Llazar”, afër urës së Ibrit janë parë disa grafite me mbishkrimin, ” Mos u brengosni, këtu jemi”.
Serbët në Veri shkruajnë grafite me mbishkrimin, “Mos u brengosni, këtu jemi”