Disa grafite në gjuhën serbe me mbishkrimin “Mos u brengosni, këtu jemi”, janë parë në sheshin “Car Llazar”, në Veri të Mitrovicës.
I shkruar me ngjyrat e flamurit serb, këtij mbishkrimi në rrugët e të njëjtit shesh, i është bashkangjitur një emblemë me mbishkrimin “Brigada e Veriut”.
I njëjti vjen pikërisht në ditën kur po mbahen takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Takimi vjen pas tensioneve të shtuara në pjesën veriore të Kosovës dhe deklaratave në Kosovë e Serbi për shkak të fillimit të zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit ndërmjet dy vendeve për targa dhe dokumente zyrtare.
Ndonëse u takuan dy herë gjatë vitit 2021, negociatat në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk patën ndonjë rezultat konkret.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të diskutojnë për dy tema, njëra nga to është diskutimi për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve me njohje reciproke.
Kurse tema tjetër që pritet të diskutohet në dialog, sipas kryeministrit të Kosovës, janë zhvillimet aktuale tensionuese të kohës së fundit.

Këto deklarata Kurti i dha pas takimit me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Bruksel, një ditë para takimit me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq.
Ndërkaq, presidenti serb, Vuçiq, ka deklaruar disa herë para mediave se do të kërkojë që të diskutohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë Marrëveshjet e arritura për çështjen e Asociacionit.
Por, Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.