Serbia që ka blerë mijëra dronë kamikazë nga Irani, sisteme anti-ajrore e armë të rënda nga Kina e Rusia, 12 aeroplanë “Rafale”, me super-teknologji nga Franca, me 2.2 miliardë dollarë buxhet vjetor për ushtrinë, po ndjehet e provokuar nga marrëveshja për mbrojtje dhe siguri e nënshkruar nga Kosova, Shqipëria e Kroacia.
Ankesës që Beogradi e ka paraqitur në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë dhe Kroacisë i është përgjigjur kjo e fundit.
“Ka kaluar koha kur Kroacia e pyeste Beogradin se çka lejohet të bëhet dhe si duhet të bëhet, dhe kjo nuk do të ndodhë kurrë më. Ne jemi shtet i pavarur qe 35 vjet, kemi kaluar pesë vite agresioni dhe politikash që komunikonin një narrativë të tillë. Kroacia ka të drejtë të nënshkruajë memorandume. Kosova është shtet mik të cilin e kemi njohur, dhe edhe shtete të tjera do t’i bashkohen këtij memorandumi. Dokumenti nuk përmend Serbinë, agresionin apo ndonjë aktivitet që mund të rrezikojë dikë, përfshirë Serbinë” – Ivan Anushiq – Ministër i Mbrojtjes i Kroacisë.
Për shtetin që i destabilizon fqinjët sa herë që i jepet mundësia, pak a shumë në linjë me ministrin kroat të mbrojtjes, është edhe ish-ambasadori i Shqipërisë në NATO.
“Me këto ankesat e Serbisë ose të Vuçiqit për riarmatimin e vendeve tjera të Ballkanit, janë thjesht diçka për propagandë pasi që ajo është që ka bërë këtë ri-armatim pa pyetur vendet fqinje siç janë Shqipëria, Kosova dhe Kroacia, ndërsa vetë kërkoon që pse sjeni konsultu me neve, është e kuptushme që Serbia ndryshe vepron dhe ndryshe flet.” – Visho Ajazi Lika – Ish-ambasador i Shqipërisë në NATO.
Lika, marrëveshjen e vlerëson hap të mirë politik dhe veprim historik, në linjë me direktivat dhe strategjinë e NATO-s dhe të BE-së.
Reagimi i Serbisë është i pritshëm edhe për ekspertët e sigurisë në Kosovë, por jo pse paraqet kërcënim për të.
“Përfitimi është politik, më tepër sesa një përfitim konkret ushtarak, kjo mendoj që është e rëndësishme. Sepse kërcënimet eventuale në Ballkan menaxhohen nga dikush tjetër, dhe këto të trija shtete nuk i posedojnë kapacitetet, edhe nëse bëhet bashkë që të trija, nuk i posedojnë kapacitetet për të parandalu një kërcënim në Ballkan në shkallë të gjerë”, ka thënë Fadil Kajtazi – Ekspert i Sigurisë.
Serbia me 2.2 miliardë dollarë buxhet për mbrojtje, e vetme shpenzon më shumë sesa së bashku, Kroacia, Shqipëria e Kosova, buxheti i së cilave nuk i afrohet shifrës 2 milardë dollarë.